Apple paralajmëroi ditën e Premte të gjithë përdoruesit e iPhone, iPad dhe kompjuterave Mac se janë të prekur nga problemet kritike të sigurisë zbuluar së fundi në procesorët Intel, AMD dhe ARM.
Gjigandi Amerikan i teknologjisë kërkoi nga miliona konsumatorë të shkarkojnë aplikacione dhe softuerë vetëm nga burime të besuara.
Ende nuk ka asnjë provë që problemet e sigurisë Meltdown dhe Spectre janë shfrytëzuar apo po shfrytëzohen nga hakerat edhe pse kompanitë si Microsoft kanë dërguar tashmë përditësime urgjente.
Në një postim në blog, Apple tha se ka dërguar përditësime për iOS, macOS dhe tvOS posaçërisht për këtë problem.
“Hulumtuesit e sigurisë kanë zbuluar së fundi probleme sigurie të njohura si Meltdown dhe Spectre. Këto dobësi prekin të gjithë procesorët modernë dhe thuajse çdo sistem operativ. Të gjitha sistemet Mac dhe iOS preken gjithashtu,” thuhej në deklaratën e Apple.
“Duke qenë se këto dobësi mund të shfrytëzohen vetëm nëse një aplikacion keqdashës është i instaluar në pajisjen tuaj Mac ose iOS, ne rekomandojmë të shkarkoni aplikacione vetëm nga burime të besuara si App Store.”
Firma tha se Apple Watch është i vetmi produkt që nuk preket nga Meltdown ndërsa ka planifikuar një përditësim për shfletuesin Safari në ditët në vijim për tu mbrojtur kundër Spectre.
Dobësitë e sigurisë u zbuluan nga hulumtuesit e Google dhe akademikë në vende të ndryshme të botës. /PCWorld Albanian