Apple lançoi një uebsajt të ri i cili thotë se platforma App Store, mënyra e vetme për shumë njerëz për të instaluar aplikacione në një iPhone, mbështet konkurrencën.
Sajti u lançua në heshtje të plotë ditën e Mërkure dhe është tjetër përgjigje ndaj Spotify dhe kandidates presidenciale demokratike Elizabeth Warren ku që të dy kanë akuzuar gjigandin e iPhone për favorizimin e aplikacioneve të saj ndaj atyre të palëve të treta.
Një seksion i faqes titullohet “Një dyqan që mirëpret konkurrencën.” Faqja vë theksin tek aplikacionet që konkurrojnë me softuerin dhe shërbimet e integruara të Apple përfshirë Spotify.
Zhvilluesit e aplikacioneve të cilët prodhojnë mjetet dhe aplikacione për kontrollimin e varësisë ndaj pajisjeve apo për monitorim familjarë thonë se Apple ka shënjestruar aplikacionet e tyre sepse konkurrojnë me Screen Time, një funksion i lançuar së fundi në iPhone.
Apple tha se aplikacionet e palëve të treta ishin hequr sepse kishin probleme privatësie dhe sigurie. Zhvilluesit gjithashtu janë ankuar për tarifat 15-30% që Apple aplikon për pagesat e kryera përmes App Store.
Në uebsajt Apple thotë se “Si çdo treg tjetër i ndershëm, zhvilluesit vendosin se çfarë duan të tarifojnë. Ne vetëm mbledhim komisione nga zhvilluesit kur një e mirë apo shërbim dixhital ofrohet përmes një aplikacioni në App Store.”
Sajti thotë se 40% e aplikacioneve refuzohen në javë nga procesi i aprovimit të Apple i cili bazohet tek moderatorë njerëzorë për shkak të keq-funksionimeve apo problemeve me privatësinë.
Gjithashtu janë listuar një seri aplikacionesh në App Store të cilat Apple thotë se konkurrojnë me shërbimet e saj si Music, Notes dhe FaceTime. Apple tha se gjatë vitit të kaluar zhvilluesit kanë bërë 120 miliardë dollarë përmes platformës. /PCWorld Albanian