Apple i bindet Trump, investon 500 miliardë dollarë në SHBA, pas tarifave ndaj Kinës

E publikuar: 04/03/2025 01:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Planet e hershme të Donald Trumpit për të tërhequr brenda kufijve investimet e kompanive të mëdha, duket po funksionojnë me gjigantin e teknologjisë, Apple që njoftoi se do të injektojë në ekonominë amerikane 500 miliardë dollarëve gjatë katër viteve të ardhshme.

Investimi, që do të krijojë 20,000 vende të reja pune, dëshmon mbështetjen e kompanisë për politikat e qeverisë amerikane për punësimin dhe investimet në vend, mes paralajmërimeve të Trumpit se do të dyfishojë tarifat e importeve nga Kina, vend ku prodhohen shumica e produkteve të Apple.

Kompania prodhon në Kinë shumicën e modeleve të Iphone-it dhe produkteve të tjera. Por gjatë viteve të fundit, ajo i ka zgjeruar operacionet në vende si India dhe Vietnami, ndërsa në SHBA, jo dhe aq shumë. Tashmë, duket se kjo gjë do të ndryshojë. Planet e investimeve të Apple ne tokën amerikane përfshijnë ndërtimin e një qendre për prodhimin e pajisjeve për inteligjencën artificiale dhe angazhimin për krijimin e 20,000 vendeve pune. Njoftimi vjen pas takimit të shefit të saj, Tim Cook me Presidentin Trump.

Apple është mes firmave amerikane që kanë njoftuar kohët e fundit investime në vend dhe krijimin e vendeve të reja të punës. “Ato (kompanitë) do të ndërtojnë këtu sepse nuk duan të paguajnë tarifa”, tha Trump përmes një njoftimi në mediat sociale, ku njoftoi gjithashtu se dyfishimi i tarifës universale prej 10% për Kinën, do të hyjë në fuqi të martën./tch