Apostolova: Askush nuk është mbi ligjin

E publikuar: 24/01/2018 14:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në publikimin e një raporti për gjyqësorin, Natalya Apostolova tha se askush nuk është mbi ligjin në Kosovë.
Shefja e Zyrës së BE-së Natalya Apostolova, teksa mori pjesë në publikimin e “Raportit të Thelluar të Vlerësimit të Sistemit Gjyqësor në Kosovë”, tha se askush nuk është mbi ligjin.

Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë Natalya Apostolova tha se sundimi efektiv i ligjit është efektiv edhe për shoqërinë dhe askush nuk është mbi ligjin.

Apostolova sugjeroi që të merren parasysh rekomandimet e raportit.

“Kosova ka nevojë për të dhëna të sakta dhe statistika të përditësuara. Ky është një rekomandim që del nga raporti. Unë ju inkurajoj që t’i merrni parasysh këto rekomandime të raportit”, tha Apostolova

Ajo foli edhe për të arriturat e Kosovës për 10 vjet shtet.

“Kosova këtë vit feston 10 vjetorin e pavarësisë. Natyrisht se janë bërë reforma por ende ka shumë për t’u bërë në këtë drejtim”, tha Apostolova.

Në rekomandimet e raportit thuhet se duhet të shqyrtohen arsyet pse ka mungesë efektshmërie te numri i lëndëve civile dhe ekonomike në procedurë kontestimore dhe numri i lëndëve administrative të pranuara në gjykatat e shkallës së parë dhe në apel.

Nehat Idrizi nga Këshilli Gjyqësorë i Kosovës tha se prioritet për KGJK-në është zvogëlimi i lëndëve të pazgjidhura.

“Mbetet një numër i madh i lëndëve të pazgjidhura, por ky do të jetë një prioritet për ne. Do të zbatojmë rekomandimet e raportit të KGJK-së”, tha Idrizi.

Në bazë të raportit të publikuar sot është rekomanduar që të mblidhen dhe të raportohen të dhëna të sakta për buxhetet e miratuara dhe të zbatuara jo vetëm të dhëna zyrtare, por edhe financime të jashtme.

“Sistemi Gjyqësor në Kosovë, si në vendet fqinje, përfiton nga burimet e jashtme shtesë që nuk janë pjesë e buxheteve zyrtare dhe nuk figurojnë në statistika”, thuhet në rekomandimet e raportit.

Po ashtu në raport është rekomanduar që të kryhen hulumtime të mëtejshme për të vlerësuar burimet e nevojshme në gjykatat e ndryshme nën dritën e ngarkesës së çështjeve dhe për të bërë rindarjen e burimeve ndërmjet Gjykatave Themelore dhe Gjykatës së Apelit.

Për mbledhjen e të dhënave dhe dokumenteve të këtij raporti u angazhuan përfaqësues të Këshillit Gjyqësorë të Kosovës, Këshillit Prokurorial të Kosovës, Zyrës për Ndihmë Juridike Falas, Odës së Avokatëve të Kosovës dhe gjykatat në mbledhjen e të dhënave dhe dokumenteve./GazetaExpress/