Ky shkrim merret me gjendjen në Universitetin e Prishtinës dhe debatet për të në kontekst të debateve thelbësore, të qasjeve të përpunuara dhe organike ndaj idesë së universitetit në botë, dhe qasjes mekaniciste te ne, me pasoja potencialisht të rrezikshme për dijen, Universitetin dhe kombin tonë.
Si institucion i arsimit dhe i kërkimeve të larta, Universiteti ka histori prej më pak se njëmijë vjetësh. Ndonëse pararendës ka pasur në Afrikë dhe në Azi, universitetet e para në Evropë janë themelata të shekujve XI dhe XII (Bolonja, Parisi, Oksfordi), që lindën në gjirin e Kishës Katolike, fillimisht për të arsimuar klerikë dhe nëpunës të shtetit.
Nga një institucion elitar për shumë shekuj, në fund të shekullit të kaluar Universiteti u hap ndaj më shumë njerëzve dhe dijeve. U rrit numri i universiteteve, u rrit numri i studentëve, që tash sillet te rreth 50% të atyre që mbarojnë arsimin parauniversitar. Ky shpërthim dhe masivizim ka shkuar shpesh në dëm të cilësisë, ndonëse në botë është ruajtur një shkallë e elitizmit, mbasi ekziston hierarki universitetesh, ta zëmë në Britani të Madhe dhe SHBA më hetueshëm, por edhe gjetiu.
Për të kaluar më shpejt te objekti i këtij shkrimi – gjendja në universitetet në Kosovë, me fokus në Universitetin e Prishtinës, që është larg më i miri kur postulojmë ekzistencën e një hierarkie vlerore edhe te ne – do përkujtuar se në shekujt e mbramë, teksa ka evoluuar shoqëria dhe janë zhvilluar shkencat e dijet humanitare, është debatuar për natyrën dhe misionin e Universitetit dhe lidhjet e tij me shoqërinë e shtetin, tani edhe në rrafsh supranacional e global. Për këtë çështje më i njohuri në botën anglishtfolëse është libri “The Idea of a University” (Ideja e Universitetit) që Henry John Newman e kishte shkruar mbi bazë të ligjëratave që kishte mbajtur në vitin 1852. S’ka libër më me ndikim në anglisht në këto 150 vjet për idealet publike të arsimit të lartë. Natyrisht, këtu nuk është vendi të elaborohen idetë kryesore të këtij libri, pos të theksohet se ai nuk e shihte kërkimin (research) si funksion relevant të universitetit. Më të dobishme për diskutim të konditave shoqërore, ekonomike e politike rreth Universitetit sot në Britani janë librat e Stefan Collini-t, “What Are Universities For?” (Për çka janë universitetet?, Penguin Books, 2012) dhe “Speaking of Universities” (Tue folë për universitetet, Verso, 2017), të cilëve u referohet ky shkrim më poshtë. Studiuesi i njohur, profesor i letërsisë angleze dhe i historisë intelektuale në Universitetin e Kembrixhit, Stefan Collini (Kollini) është bërë zëri më kritik e argumentues ndaj tendencave për marketizim (komercializim) të universiteteve, në kontekst edhe të politikave qeveritare britanike. Shqyrtimet e tij janë me peshë e dobi edhe për Universitetin tonë, sepse si në Britani, si në Kosovë, universitetet janë publike, ndonëse në rastin e Britanisë distinksioni publik-privat është mjegulluar pak për shkak të sistemit të pagesave të studentëve (me kredi) që zëvendëson me të madhe financimin nga shteti. Pagesat e studentëve në Britani janë më të lartat në Evropë, 9000 funta (10000 euro) në vit, ndërsa në Kosovë ndër më të voglat.
Universiteti i Prishtinës është themeluar më 1970, fillimisht për mësim në gjuhën shqipe dhe serbe, ndonëse prej atëherë UP-ja ka qenë në një mënyrë Universitet Nacional për shqiptarët në ish-Jugosllavi. I mbajtur si universitet paralel (underground) në vitet e ‘Republikës së parë të Kosovës’ në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, Universiteti ka mbijetuar me vështirësi, me pasoja që vuan edhe sot, 18 vjet mbas lufte.
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është gjigant, jo vetëm më i madhi në Kosovë, por edhe ndër më të mëdhenjtë në rajon. (Sa për krahasim, të dy universitetet tradicionale britanike bashkë, i Oksfordit dhe i Kembrixhit, kanë më pak studentë se Universiteti i Prishtinës).
Në kohën kur shteti ynë mban Universitetin e Prishtinës dhe ka hapur të tjerë në rajone (Prizren, Pejë, Gjakovë, Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj) kryesisht si institucione të arsimit të lartë për mësimdhënie (pak e hiç për kërkime!), diskutimet e kohëve të fundit për gjendjen në Universitet, si brenda institucionit, ashtu edhe jashtë tij, rroken me një çështje të ndërliqshme jo me një qasje holistike, organike, por krejtësisht parciale, mekanike, nga prizmi i zgjedhjes dhe avancimit të stafit universitar. Kjo është bërë çështje nacionale nga segmente të shoqërisë civile (jo fort civile), por jo nga shteti dhe Universiteti vetë. Pasojat e një kuvendimi të tillë, me paradigma mekaniciste, mund të jenë largvajtëse për universitetin dhe shoqërinë tonë. Teksa nxirret në pah ky rrezik, duhet rishqyrtuar qasja ndaj Universitetit me synimin që, sa nuk është bërë vonë, të kthehemi mbrapa nga rruga qorre që po ndiqet nën presionin e një kaste të paditur njerëzish që mëton ta mbikëqyrë Universitetin në emër të popullit.
Siç është e ditur, ka kohë që biseda kryesore, gjoja në përpjekje për të vendosur standarde më të larta akademike, sillet rreth numrit dhe revistave/platformave të publikimeve shkencore që të kualifikojnë për zgjedhje/rizgjedhje/avancim në tituj asistent, profesor asistent, profesor i asocuar dhe profesor i rregullt. Jo për cilësinë e tyre, për fat të keq. Dhe më keq akoma, me një kornizë matëse të kthyer në numra (kuantifikim) që vlen njësoj për shkencat dhe dijet shoqërore (nganjëherë quhen shkenca shoqërore në diskursin tonë). Është vënë në qarkullim për diskutim këto ditë një (projekt) “Rregullore e procedurave vlerësuese për zgjedhjen, rizgjedhjen dhe avancimin e personelit akademik në Universitetin e Prishtinës ‘Hasan Prishtina’” që mëton ta bëjë këtë. Ka kohë që është folur për diçka të tillë dhe argumentet e profesorëve që thonë se kjo është rrugë e gabuar janë shpërfillur me mujshí të pashpjegueshme. Krejt kjo në emër të vendosjes së standardeve, në përpjekje për ta bërë dijen/kompetencën akademike të matshme dhe të përkthyeshme në numra. E thotë Collini “Jo gjithçka që çon peshë mund të numërohet/kthehet në numra” (“Not everything that counts can be counted”, 2012, fq. 120) si të ishte duke u ballafaquar pikërisht me këtë mendësi të ngushtë, mekaniciste të ideatorëve dhe hartuesve të kësaj politike te ne. Ai kundërshton bibliometrinë bruto që mëtohet të institucionalizohet si masë matjeje (kut i vetëm), mbi bazën e një besimi besëtytnor se numrat disi shmangin rreziqet e paragjykimit dhe të subjektivitetit. Stefan Collini vihet sistematikisht në mbrojtje, siç përpiqet të bëjë autori i këtij shkrimi këtu, të dijeve humanitare, shkencave shoqërore, apo sido që t’i quajmë ne. Kështu i përkufizon dijet humanitare Fjalori i Anglishtes i Oksfordit (OED), që e përqafon ai, dhe jepet këtu i përkthyer: “Dega e dijes (learning) që merret me kulturën njerëzore; lëndët akademike që bashkërisht përfshijnë këtë degë të dijes, si historia, letërsia, gjuhët antike dhe moderne, drejtësia/jurisprudenca, filozofia, arti dhe muzika”.
Më e veçanta dhe, ndoshta, veçanërisht e vlefshme për çka bëjnë universitetet është “pikërisht ajo që nuk mund të kapet nga metrikat (njësitë matëse) që po përdorin gjithnjë e më shumë shoqëritë për të matur vlerën”, konstaton Collini në librin e botuar sivjet (2017, fq. 25). E ka fjalën për bibliometrinë e viteve tetëdhjetë e këndej, si dhe atë klishenë e faktorit të impaktit (impact factor) të viteve 2000, ndonëse vetë ishte profesor deri në pension i Universitetit të Kembrixhit, që, me këto metrika, del përvjet dikund në krye të ranglistave botërore të universiteteve. Studiuesi britanik në librat e vet konteston konceptin e ngushtë të universiteteve si institute që trajnojnë forcën e punës dhe aplikojnë zbulimet për të krijuar rritje ekonomike (2017, fq. 33), sikur edhe vlefshmërinë e këtyre ranglistave, duke shtruar pyetjen se kujt i shërbejnë ato, ndonëse janë kritikuar ashpër, si matje kuantitative të cilësisë, e cila bëhet me të madhe tërthorazi. Ai, thënë përmbledhtas, e quan të dështuar mëtesën që të përkthehen gjykimet e bazuara të cilësisë në masa matjeje të kalkulueshme të sasisë (2017, f. 57). Jeta njerëzore përfshin shumë forma të pamatshme të vlerës, ndërsa aktivitetet e “të menduarit dhe të të kuptuarit u rezistojnë vetvetiu mundësive që të maten në mënyrë të duhur me metrika kuantitative” (f. 151), thotë Collini në librin e tij të sivjemë. Dhe më tej (f. 190): “rangimet botërore kanë pak vlerë: ato janë kryesisht udhëzues për shkallën e shpenzimeve në shkencën e madhe, jo për cilësinë e arsimit që ofrojnë universitetet, dhe sidomos jo për atë se sa mirë i shërbejnë ato kulturës së vendit nikoqir”. Collini damkos pamëshirshëm atë që quan “filistinizëm mendje-ngushtë” të politikbërësve në fushën e arsimit, sepse, siç shprehet ai, detyra kryesore e universitetit është të “zgjerojë dhe të thellojë të kuptuarit njerëzor, sepse, në afat të gjatë, nga ky gjakim i suksesshëm shoqëria në tërësi nxjerr përfitimin më të madh” (f. 205).
Dhe për të mbërritur kah fundi i këtij shqyrtimi për idenë e universitetit përgjithësisht dhe me fokus te vendi i dijeve humanitare në të, do thënë se teksa dëgjojmë e do të dëgjojmë edhe më shumë në vitet në vijim për nevojën për një shikim më global e globalist, do theksuar se “relacioni i shumë disiplinave humaniste/humanitare me kulturat vendëse do të mbetet gjithmonë më i ngushtë sesa i të tjerave” , thotë Collini, për të ilustruar: “Pjesa më e madhe e punës në shkencat e natyrës, dhe madje edhe në shumë shkenca sociale, mund të bëhet kudoqoftë, dhe në një ekonomi globale do të bëhet, në pjesën më të madhe, aty ku dikton financimi. Mirëpo, studimi dhe mësimdhënia, ta zëmë, e historisë suedeze përherë me gjasë do të bëhet veçanërisht në Suedi, apo i letërsisë italiane në Itali, e kështu me radhë. (2017, ff. 228-9). Këtu do të mund të përkthenim ne vetë për ambientin tonë: studimi i kulturës dhe i letërsisë shqipe në Kosovë dhe Shqipëri, ta zëmë. Një ‘përkthim’ edhe më i lirë, për ata që s’marrim vesh, në këto hapësira kombëtare, në Kosovë e në Shqipëri, do të ketë nevojë për studime në shqip të dijeve humanitare, shoqërore, të filozofisë, të letërsisë së kulturave të huaja, në radhë të parë evropiane, në djepin e së cilës ka lindur dhe është zhvilluar edhe kultura e letërsia autentike shqiptare.
U pa prej shqyrtimit deri këtu, besoj, se përpjekja për kuantifikim të dijes thjesht me numra e tabela, duke shpërfillur gjykimin, vlerësimin, është shpërfytyrim i rëndë i natyrës së dijeve humanitare. Pokaq e dëmshme, në mos fatale, është ideja se publikimet te revistat kombëtare e rajonale janë të pavlefshme, dhe se publikimi në platforma të caktuara arbitrarisht, ndonëse me kumbim vleror, është ilaçi për të gjitha.
Universiteti i Prishtinës por edhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe ndonjë institucion tjetër, pa investime kushediçfare në fushën e kërkimeve, ia kanë dalë të krijojnë një industri të vogël botimesh të revistave, disa prej të cilave me traditë gati gjysmëshekullore, si Seminari për Gjuhë, Letërsi dhe Kulturë Shqiptare, institucion i Fakultetit të Filologjisë nga viti 1974, më i njohuri në rrafsh kombëtar dhe ndërkombëtar. (Në drejtori të këtij Seminari kam qenë vetë në disa mandate, një herë sekretar shkencor.)
Publikimet në revistat kombëtare të fushave filologjike e të tjera në Kosovë e në Shqipëri janë shpallur të pavlefshme për zgjedhje dhe avancim të stafit akademik në Universitetin e Prishtinës. Këtë nuk e ka bërë Universiteti i Tiranës, ta zëmë. Atyre u vlejnë, dhe me këto punime gradohen në tituj universitarë. Një vendim i tillë absurd – diskualifikimi i punës kërkimore dhe i rezultateve të saj brenda institucionit tonë – të bën të qeshësh e të qash njëkohësisht. Po të institucionalizohej kjo marrëzi – siç mëton (projekt) Rregullorja e re për avancimi të stafit akademik të UP-së – do të kishte rrjedhoja tragjike për fatin e dijeve humanitare përgjithësisht te ne, dhe sidomos të dijeve që rroken me kulturën tonë kombëtare. Pse, do të thoshte dikush? Sepse, siç e thekson Collini, këto dije janë të lidhura më ngushtë (ai thotë, në origjinal, ‘more intimately’) me vendin dhe kulturën ku gjëllon Universiteti, në rastin tonë në Kosovë. Kush do të botonte në revistat e Kosovës dhe të Shqipërisë nëse jo studiuesit vendës e të rajonit? Nga Gjermania, Britania, Franca, SHBA-të, Japonia?! Jo nëse në këto revista nuk botojnë studiuesit vendës, të cilët edhe duhet ta kenë barrën kryesore për botim të tyre. Askush nuk ka të drejtë ta bëjë këtë, sepse një thesar kulturor e dituror që është krijuar nuk është vetëm yni, por i atyre që e kanë krijuar, i yni, dhe i atyre që vijnë pas nesh. Ne jemi thjesht, në këtë fazë, një agjenci e mirëbesimit, për ta ruajtur trashëgiminë dhe për ta avancuar nëse mundemi, për brezat e rinj. Kaq.
Dhe, një mendim në fund. Nuk është ky qëndrim imi thjesht apologji për studimet albanologjike, që gjithsesi janë më autentiket për kombin dhe vendin, por më gjerë për studimet humanitare. Albanologjia si tërësi e studimeve të veçantive shqiptare (gjuhë, letërsi, kulturë, histori, etj.) do të rrëgjohej e atrofizohej në studime për ndonjë rezervat (popullsi e kulturë indigjene, si të themi) po të vështrohej jashtë arealit evropian, lidhjeve të saj me popuj e kultura në antikitet e modernitet, duke shpërnjohur dijet dhe metodat e studimeve sot në botë. Studimet filologjike (gjuhësore e letrare) janë rritur në këtë ndërveprim dhe mbi bazë rrezatimesh diturore që s’mund të lihen jashtë studimit dhe të vlerësohen si kontribut poaq i vlefshëm kur e bëjnë filologët e tjerë në studime krahasimtare. Meqë ra fjala, si të mos vlerësohet si kontribut për dijen përgjithësisht dhe kulturën kombëtare studimi dhe botimi në shqip i shkrimtarëve dhe filozofëve si Proust-i, Joyce-i, Heidegger-i, apo Sartre-i, të përmend vetëm disa nga të mëdhenjtë e shekullit XX? Ku do të ishin studimet shqiptare sot pa kontributin e madh të Ibrahim Rugovës, Rexhep Ismajlit dhe Sabri Hamitit, që në vitet shtatëdhjetë bënë studime të larta e specializime të ngushta në Francë, te autoritetet kulminante si André Martinet, Roland Barthes dhe Gerard Genette? Rezultate e kërkimeve të tyre akademikët tanë i sollën në Kosovë dhe i aplikuan në kulturën kombëtare, në studimet albanologjike, që pa këto kontribute, në kohën kur Shqipëria e Enver Hoxhës zhgërryhej në dogmën komuniste, të Realizmit Socialist e të tjera, do të ishte fort më e varfër, për të mos thënë e atrofizuar në fushat e studimeve filologjike, letrare e kulturore përgjithësisht. Me nomenklaturën e propozuar aktualisht, botimet e tyre te ne, që i njohim për kulminante, nuk do të kualifikoheshin për avancim në grada në Universitetin e Prishtinës. Absurde, apo jo?
Vendosja e konformitetit me mjete të dhunshme dhe arbitrare, pa marrë parasysh që motivet fillestare të nismëtarëve të këtyre politikave mund të mos jenë domosdo të liga, prodhon konsekuenca të këqija për frymën demokratike (se demokracia nuk është vetëm procedurë dhe numra!), për jetën tonë kulturore e shoqërore. Për kombin dhe Universitetin rrjedhoja gjithsesi të rënda.
/Muhamet Hamiti është profesor i asocuar në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Vitin e kaluar ka botuar librat me ese dhe studime letrare “Besimi letrar” dhe “Proza moderne“.