Apeli lë në paraburgim 8 të dyshuar për manipulim me vota në Prizren

E publikuar: 06/02/2026 20:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesat e mbrojtjes dhe ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prizren, me të cilin është caktuar masa e paraburgimit ndaj B.B., A.A., A.K., Gj.Sh., L.K., B.Xh., E.G., I.P., nën dyshimin për manipulim me vota në Prizren.

Sipas vendimit të 3 shkurtit 2026, janë refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes së tetë të dyshuarve, ndërkaq është vërtetuar aktvendimi i Themelores.

Kundër aktvendimit të Themelores, ankesë kishte parashtruar mbrojtësi i I.P., avokati Refki Piraj, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, duke propozuar që mbrojtësit të tij t’i caktohet arrest shtëpiak.

Kurse, mbrojtësi i të pandehurit B.Gj., avokati Hasan Biraj, ka ushtruar ankesë për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, duke kërkuar që rasti të kthehet në rivendosje.

Avokati i E.G., Naim Cahanaj ka ushtruar ankesë për shkak të shkeljeve thelbësore të dispozitave të procedurës penale, për arsye të vlerësimit të gabuar ose jo të plotë të gjendjes faktike, mbi të cilat është nxjerrë aktvendimi i Themelores. Ka propozuar t’i caktohet ndonjë masë më e butë të mbrojturit të tij apo rasti të kthehet në rivendosje.

Mbrojtësi i Gj.Sh., avokati Arben Ramadani ka ushtruar ankesë me propozimin që të mbrojturit të tij t’i ndërpritet paraburgimi dhe t’i caktohet masa e paraqitjes në stacion policor.

Mbrojtësi i L.K., avokati Fatmir Jelliqi ka ushtruar ankesë për shkak të shkeljes së dispozitave të Kodit të Procedudrës Penale, duke propozuar që të mbrojturit të tij t’i caktohet arresti shtëpiak.

Mbrojtësi i A.K., avokati Klodian Krasniqi ka parashtuar ankesë për shkak të mos-ekzistimit të kushtit ligjor nga neni 184 i KPPK-së, duke propozuar që të mbrojturit të tij t’i caktohet arresti shtëpiak ose masa e ndalimit të afrimit vendit apo personave të caktuar.

Edhe mbrojtësi i A.H., avokati Anton Çuperjani ka parashtruar ankesë për të gjitha bazat për ankimim, duke propozua që A.H., t’i shqiptohet arrest shtëpiak amo masa e ndalimi të afrimit vendit apo personave të caktuar.

Po ashtu, ankesë kishte parashtruar mbrojtësja e B.B., avokatja Fatbardha Elezkurtaj, për shkak të shkeljes së dispozitave të KPPK-së dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike. Kishte kërkuar që t’i ndërpritet paraburgimi të mbrojturit të saj dhe t’i caktohet një masë më e butë.

Kurse, Prokuroria e Apelit me parashtresë ka propozuar që ankesat e mbrojtjes të refuzohen si të pabazuara dhe të vërtetohet aktvendimi i Themelores.

Sipas Apelit, mbrojtësi i I.P., avokati Refki Piraj, me ankesë ka thënë se masa e paraburgimit në raport me veprën penale është tejet e rëndë, andaj ka kërkuar t’i zëvendësohet me një masë tjetër, duke thënë se hetimet mund të kryhen edhe me masën e arrestit shtëpiak. Edhe mbrojtësi i B.Xh., avokati Hasan Biraj përmes ankesës ka kërkuar që të mbrojturit të tij t’i caktohet ndonjë masë alternative.

Mbrojtësi i E.G., avokati N.C., në vendim thuhet se ka pretenduar në ankesë se dyshimi i bazuar nuk mund të mbështetet vetëm në supozime dhe interpretime, por të jetë konkret, i individualizuar dhe i mbështetur në prova të forta materiale.

Më tej, thuhet se mbrojtësi i Gj.Sh., avokati Arben Ramadani ka pretenduar në ankesë se klienti i tij nuk e ka pasur pozitën e kryesuesit por vetëm të anëtarit. E mbrojtësi i L.K., avokati Fatmir Jelliqi me ankesë ka kërkuar po ashtu që t’i ndryshohet masa të mbrojturit të tij dhe t’i caktohet një masë më e butë, pasi ka vlerësuar se masa e paraburgimit është masë tejet rigoroze.

Kurse, mbrojtësi i A.K., avokati Klodian Krasniqi, ka thënë se i mbrojturi i tij është i moshës së re, është hera e parë që po dyshohet për vepër penale, duke propozuar kështu caktimin e një mase alternative. E mbrojtësi i A.H., avokati Anton Çuperjani, ka theksuar në ankesë se pretendimet mbi të cilat është mbështetur vendimi për caktimin e paraburgimit, mund të trajtohen vetëm gjatë shqiptimit të dënimit. Ai ka thënë se gjykata nuk ka marrë parsysh moshën e klientit të tij dhe nuk ka asnjë precedent penal.

Ndërkaq, mbrojtësja e B.B., avokatja Fatbardha Elezkurtaj ka pretendua në ankesë që nuk janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit ndaj të mbrojturit të saj.

Gjetjet e Apelit:

Sipas Gjykatës së Apelit, pretendimet e mbrojtjes janë të pabzuara. Aty thuhet se Themelorja drejt ka arsyetuar dyshimin e bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen, dhe se është i nevojshëm caktimi i paraburgimit ndaj tyre.

Apeli thekson se dyshimi i bazuar rrjedh nga provat të cilat janë të bashkëngjitura në shkresa të lëndës, të cilat janë mbledhur deri në këtë fazë të procedurës.

Në vendim thuhet se i dyshuari B.B., në Polici ka deklaruar se ka qenë kryesues i vendnumërimit në Qendrën e Numërimit në Prizren, nga LVV-ja, ai ka thënë se nuk kanë qenë të ndara detyrat dhe përgjegjësitë nga kryesuesi i Komisionit. Ka shtuar se edhe persona tjerë kanë vendosur të dhëna të kandidatëve të subjekteve poltike, ndonëse nuk kanë pasur të drejtë, por i ka lejuar.

Më tej, thuhet se i dyshuari A.H., thuhet se ka deklaruar në Polici se ka qenë kryesues i një tavoline të numërimit nga PDK-ja, ku detyrë e tij ka qenë futja e të dhënave të subjekteve të tjera politike. Ka thënë që s’ka dijeni për nenin 21 të Rregullores së zgjedhjeve.

Kurse, A.K., thuhet se në Polici ka deklaruar që ka qenë përfaqësues i PDK-së, i angazhuar si kryesues i komisionit të QKN-së në Prizren. Ka thënë se gjatë numërimit sistemi ka pasur probleme 5-6 herë në ditë, pasi sistemi disa herë është restartuar dhe është kthyer në pikën zero.

Ndërkaq, Gj.Sh., në Polici thuhet se ka deklaruar se ka qenë anëtar i Komisionit nga PDK, për numërimin e 12 kutive, por me insistim të kolegëve ka marrë edhe 2 të tjera. Ka thënë që s’ka qenë i trajnuar. Edhe i pandehuri L.K., ka thënë në Polici se ka qenë kryesues në qendrën e votimit- përfaqësues nga AAK. Ai ka thënë se gjatë numërimit ka pasur zhurmë të madhe dhe si kryesues ua ka ndarë detyrat komisionerëve, shkruan betimipërdrejtësi.

Gjithnjë sipas vendimit, i pandehuri B.Xh., ka deklaruar në Polici se ka qenë kryesues nga njëra tavolinat e numërimit nga LDK-ja dhe se e ka respektuar nenin 21 të Rregullores për zgjedhje. Kurse, E.G., ka deklaruar në Polici se ka qenë kryesues i Komisionit nga LDK-ja, i ka ndarë rolet por në rast të pauzave ka pasur raste kur i kanë ndërruar rolet. Ai ka përmendur vështirësi në numërimin e votave, për shkak të mostrajnmit.

Ndërsa, I.P., thuhet se ka deklaruar në Polici që ka qenë anëtar i komisionit nga PDK. Edhe ky e ka përmendur mungesën e trajnimit dhe mosnjohurinë për nenin 21 të Rregullores së zgjedhjeve.

Apeli thekson Themelorja drejt veproi kur caktoi paraburgimin ndaj të dyshuarve ngase hetimet janë në fazën fillestare, do të dëgjohen të pandehurit në Prokurori, do të dëgjohen edhe të pandehurit tjerë dhe dëshmitarët.

Sipas Apelit, po të lihen në liri, të pandehurit ka gjasa reale që të ndikojnë tek bashkëtëpandehurit, prandaj kjo Gjykatë vlerëson se është plotësuar kushti ligjor për caktimin e masës së paraburgimit dhe se caktimi i kësaj mase është i nevojshëm me qëllim të sigurimit të pranisë së të pandehurve në procedurë penale dhe me qëllim të zhvillimit normal të procedurës penale.

Apeli vlerëson se shkalla e parë veproi drejt ku ua caktoi paraburgimin tetë të pandehurve, kjo duke marrë parasysh peshën e veprës penale e cila është e natyrës së rëndë, rrezikshmërinë shoqërore të veprës penale, dëmtimin e imazhit të zgjedhjeve të lira e demokratike, shkallën e lartë të dashjes së kryerjes së veprës penale, bashkëpunimin me njëri-tjetrin, si dhe faktin që disa kandidatë janë dëmtuar duke iu hequr vota e disa u janë shtuar.

Shkalla e dytë ka vlerësuar se masat e tjera janë të pamjaftueshme për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë, për rrjedhën normale të procedurës penale dhe në parandalimin e kryerjes së veprës tjetër penale.

Ndryshe, për nëntë të dyshuar tjerë për manipulim me vota, D.Sh., J.H., S.B., A.L., Q.K., A.V., F.L., M.H., dhe G.P., Gjykata e Apelit ka anuluar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prizren, duke e kthyer në rivendosje çështjen e caktimit të paraburgimit ndaj tyre.

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, pas mbajtjes së katër seancave dëgjimore, më 24 janar 2026, kishte caktuar masën e paraburgimit ndaj 23 të dyshuarve për manipulim me vota.

Nga 109 të ndaluarit për manipulim me vota në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Prokuroria kishte kërkuar masën e paraburgimit për 23 prej tyre, e për të cilët Themelorja aprovoi këtë kërkesë.

Gjykata Themelore kishte njoftuar se kjo masë u caktua nën dyshimet për kryerjen e veprave penale kundër të drejtës së votimit, kanosja, marrja e ryshfetit dhe dhënia e ryshfetit.

Sipas njoftimit, 21 të pandehur dyshohen për “Falsifikim të rezultateve të votimit”.

“Gjyqtarët e procedurës paraprake, kanë marrë vendim si në vijim: Njëzetenjë (21) të pandehurve, O.Sh., V.B., A:K., B.B., A.H:, A.K., Gj.Sh., L.K., B.Xh., E.G., I.P., I.H., A:D., dhe B:B., D.Sh., J.H., S.B:, A.L., Q.K., A.V., M.J., i’u është caktuar masa e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila mund të zgjasë deri më datën 23.02.2026 për shkak të dyshimi të bazuar se secili veç e veç ka kryer veprën penale, falsifikimi i rezultateve të votimit nga neni 216 par. 2 lidhur me nenin 31 të KP-së”, thuhej në njoftim.

Kurse, A.V., dyshohet për “Falsifikim të rezultateve të votimit” dhe “Marrje ryshfeti.

“Ndaj një (1) të pandehure, A.V.,, i është caktuar masa e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila mund të zgjasë deri më datën 23.02.2026 për shkak të dyshimi të bazuar se ka kryer veprat penale penale, falsifikimi i rezultateve të votimit nga neni 216 par. 2 të KP-së, dhe marrja e ryshfetit, nga neni 422 paragrafi 1 të KP-së”, thuhej në njoftimin e Themelores.

Më tej, thuhej se G.P., dyshohet për “Kanosje” dhe “Dhënie ryshfeti”.

“Ndaj një (1) të pandehuri G.P., (në cilësinë e vëzhguesit) i është caktuar masa e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila mund të zgjasë deri më datën 23.02.2026 për shkak të dyshimi të bazuar se ka kryer veprat penale penale, Kanosja nga neni 181 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 te KP-së, dhe Dhenia e ryshfetit, nga neni 422 paragrafi 1 te KP-së”, njoftoi Gjykata.