Pesë të akuzuarit për terrorizëm në rastin e njohur si “Badovci” po pretendojnë se pa të drejtë po mbahen në paraburgim. Pas shpalljes së aktgjykimit para dy javësh nga shkalla e parë, ata i janë drejtuar Gjykatës së Apelit me ankesë, duke i kërkuar që të ndërpritet kjo masë.
Ankesën e kanë arsyetuar, duke thënë se kanë pushuar të gjitha arsyet e vazhdimit të paraburgimit. Mirëpo ankesa u është refuzuar nga shkalla e dytë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në vendimin e Gjykatës së Apelit, të cilin e ka siguruar “Koha Ditore”, konstatohet se ekziston rreziku që të akuzuarit: Besnik Latifi, Gazmend Haliti, Milazim Haxhiaj, Enis Latifi dhe Fehmi Musa të arratisen nga Kosova.
Duke mos u pajtuar edhe me këtë vendim, të akuzuarit përmes avokatëve të tyre mbrojtës i janë drejtuar Gjykatës Supreme me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë. Rreth kësaj kërkese shkalla e tretë nuk ka vendosur ende.

















