Një vajzë nga Kanadaja është bërë e njohur në mbarë botën, pasi që anuloi dasmën për një arsye krejtësisht bizare.
E identifikuar në internet si Susan, ajo ka anuluar dasmën, duke braktisur të fejuarin dhe akuzuar miqtë dhe familjarët për faktin se nuk i kishin përkrahur financiarisht, që të organizojë ceremoninë martesore që kushtonte hiq më pak se 60 mijë dollarë, transmeton Telegrafi.
Gjatë vikendit, rrëfimi i saj është bërë hit në mbarë botën, pasi në Facebook është treguar edhe arsyeja e anulimit të dasmë.
“Të dashur miq, me keqardhje ju informoj se është anuluar dasma. Ju kërkoj falje për këtë anulim të dasmës vetëm katër ditë para se të mbahej. Për fat të keq jam ndarë nga i fejuari për shkak të disa problemeve të mëhershme. Kështu kemi vendosur t’i japim fund lidhjes”, ka shkruar ajo në Facebook.
Susan më pas ka shpjeguar se lidhja e saj është prishur, për shkak se mysafirët e ftuar në dasmë nuk ishin të gatshëm t’i dhurojnë nga 1.500 dollarë siç kishte kërkuar ajo nga ata.
Susan kishte takuar të fejuarin kur ishte vetëm 14-vjeçe dhe kishin punuar së bashku ne një fermë. Së bashku kishin arritur të kursejnë një shumë të majme të hollave, megjithatë duket se kjo nuk u mjaftoi.
“Kemi arritur t’i kursejmë 15 mijë dollarë për dasmë. Duke marrë parasysh se martesën e kemi parë si në ëndrra, kemi dashur diçka ekstravagante. Kështu vendosëm t’i vizitojmë restorantet dhe të zgjedhim opsionin më të shtrenjtë”, ka shtuar ajo.
“Dasma jonë e ëndrrave është dashur të kushtojë 60 mijë dollarë, përfshirë këtu edhe pushimet në Aruba. E gjitha çfarë kemi kërkuar ishte ndihma nga miqtë dhe familjarët, me qëllim që të mund t’i realizojmë ëndrrat tona”, ka shtuar Susan.
Në fakt ata kishin kërkuar nga dasmorët që në vend të ndonjë dhurate t’ju falin nga 1.500 dollarë. Megjithatë, edhe pse disa në fillim ua kishin premtuar shumën, më vonë edhe ata pak dasmorë filluan ta ndërrojnë mendjen.
Kështu Susan e humbi edhe shpresën më të vogël që ëndrrën ta bëjë realitet – e në veçanti kur i fejuari i saj i propozoi që ta shmangim ceremoninë e madhe martesore dhe të martohen në Las Vegas.
“Jam tmerruar. Unë thjesht doja të isha vetëm për një ditë sikur Kardashian, dhe më pas të vazhdoja jetën time”, ka shtuar ajo.
Në fund të gjithë kësaj rrëmuje të krijuar, ajo e kuptoi se më së miri për të do të ishte të largohet nga të gjitha problemet. Dhe në vend se të martohej, vendosi të shkoj në Afrikën e Jugut për më shumë se dy muaj për ta larguar “energjinë negative” të akumuluar ndër muaj. /Telegrafi/