Veterani i xhudos ka qenë edhe një herë superior duke e bërë krenare Policinë e Kosovës.
Cena e ka fituar medaljen e artë në Garat Evropiane të Policisë, Zjarrfikësve, Doganierëve dhe Korrektuesve, që po mbahen në Braga të Portugalisë.
Meqë nuk kishte kundërshtarë ndër veteranë mbi 60 vjeç në xhudo, Cena e sprovoi veten kundër një polici spanjoll, i cili ishte 30 vjet më i ri se ai.
Por, kjo nuk e pengoi xhudistin nga Peja që ta hedh në dysheme me Ippon kundërshtarin, i cili e duartrokiti dhe i tha: “Nga sot je heroi im.”
Cenën po ashtu e duartrokiti pareshtur edhe publiku, i cili vinte nga pjesë të ndryshme të Evropës duke u ngritur në këmbë në shenjë respekti për të.
“Për Policinë më të fortë në botë dhe për këtë u ndjeva tejet krenar që shtetit tim sërish ia solla edhe një fitore me rezultate të lakmueshme nga të gjithë, të gjitha me IPPON ! Pranova urime e përgëzime nga të gjithë pjesëmarrësit, për përgaditjen, luftërat dhe përfaqësimin dinjitoz”, shkroi Cena në rrjetin social Facebook.
Gjithashtu, ai do ta bëjë një dedikim special të medaljes, duke e shpërfaqur edhe një herë heroizmin dhe patriotizmin e tij.
“Të gjitha këto i shkriva në medale ari dhe këtë fitore në emër të popullit ia dedikoj heroit Enver Zymberi, ndërsa medalen do të ia dhuroj familjes së tij ! Kosovë, lart e më lart do të jesh saherë të më jepet mundësia të luftoj për ty”, shkroi tutje Cena, i cili ka fituar medalje të shumta në karrierë, duke nisur nga grupmoshat e reja, për të vazhduar tek seniorët e më pas edhe tek veteranët.
Anton Cena nuk e ka ndërmend të ndalet…