Entuziastët e teorive konspirative janë të prirë të thonë se objektet e ndryshme që gjenden në Tokë, t’i quajnë si krijesa apo gjëra që vijnë prej planetëve tjerë. Megjithëse shumicën e rasteve, kanë shpjegime të thjeshta.
Kështu ndodhi edhe me një objekt të pazakontë, që u shfaq në një plazh të Karolinës së Jugut të Shteteve të Bashkuara, transmeton Telegrafi.
Pjesëtarët e një organizate që merren me mirëqenien e balenave dhe delfinëve, shpërndanë një fotografi ku shfaqet një objekt mjaft i pazakontë.
Komentet për të ishin nga më të ndryshmet, duke e krahasuar me anije kozmike, apo objekt jashtëtokësor. Por, në një postim tjetër, u bë e ditur se objekti nuk është metalik, por ka pjesë të buta që duken si shpuzë e dendur.
Banorët e zonës, kanë thënë se nuk është asgjë tjetër pos një vozë që qëndron mbi ujë, për të shënuar zonën bregdetare, që është shkëputur nga Stuhia Florence.
Me të kuptuar se çfarë është dhe se nuk përbën rrezik, pastruesit e plazhit e morën për ta hedhur në plehra. /Telegrafi/