Anija kozmike kineze e mallrave “Tianzhou-4”, me furnizime për misionin e ardhshëm të fluturimit me astronautë “Shenzhou-14”, u bashkua me sukses të martën me kombinimin e modulit kryesor të stacionit hapësinor “Tianhe” dhe anijes kozmike të mallrave “Tianzhou-3”, deklaroi Agjencia e Fluturimeve Hapësinore me Astronautë e Kinës (CMSA).
Më 8:54 të mëngjesit të së martës sipas orës së Pekinit, “Tianzhou-4” kreu një bashkim të kontrolluar nga kompjuteri dhe u lidh me pjesën e pasme të modulit “Tianhe”.
“Tianzhou-4”, e bartur nga raketa “Marshimi i Madh-7 Y5”, u nis nga Qendra e Lëshimit të Anijeve Kozmike e Wenchang-ut në provincën ishullore jugore të Hainan-it në 1:56 të mëngjesit sipas orës së Pekinit. Rreth dhjetë minuta më vonë, “Tianzhou-4” u nda nga raketa dhe hyri në orbitën e paracaktuar. Në orën 2:23, panelet diellore të anijes u shpalosën dhe filluan funksionimin.
Më 20 prill, anija kozmike e mallrave “Tianzhou-3” u nda nga pjesa e pasme e modulit “Tianhe” dhe u bashkua me pjesën e përparme të tij. Pas bashkimit të “Tianzhou-4”, të dy anijet kozmike të mallrave janë lidhur me dy anët e modulit kryesor “Tianhe”, duke krijuar një trajtë vijore për të pritur ardhjen e ekuipazhit të misionit “Shenzhou-14”.
Ashtu si fluturimet e mëparshme me ngarkesë, “Tianzhou-4” mbart tre kategori furnizimesh, duke përfshirë furnizime për gjashtë muaj për jetesën e astronautëve, pjesë për mirëmbajtjen e stacionit hapësinor dhe pajisje të kërkimeve hapësinore.
Lëshimi i së martës është misioni i 22-të i programit të fluturimeve me astronautë të Kinës dhe i 420-ti i raketave të serisë “Marshimi i Madh”.