Kancelarja gjemrane Angela Merkel sot për herë të parë ka folur edhe për problematikën e 100.000 azilkërkuesve shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria. Në një tubim partiak të organizuar në veri të Gjermanisë dhe atë në Grimmen, Angela Merkel ka potencuar që do t’i qëndrojë kursit të saj politik në krizën e cila këtë shtet e ka kapluar pas ardhjes masive të azilkërkuesve, raporton Gazeta Blic.
Merkel edhe sot ka mbrojtur politikën e saj me moton tashmë të njohur: “Do ia dalim”, kundrejt refugjatëve, por kësaj here ajo është ndalur edhe tek azilkërkuesit e Ballkanit perëndimor, të cilët sipas saj nuk kanë gjasa për azil në këtë shtet dhe kjo rrjedhimisht ata i bën të kthehen më shpejtë në vendlindje.
“Duhet të kuptojmë edhe shqetësimet e popullit. Ne kemi një problem të madh me ata që keqpërdorin azilin. Andaj duhet të përshpejtojmë procedurat, për të qenë më efektiv”, ka thënë Angela Merkel transmeton Gazeta Blic.
Kjo nënkupton që rreth 100.000 azilkërkuesit nga Shqipëria dhe Kosova duhet kthehen me procedurë të shpejtë dhe nuk kanë gjasa për të mbetur në Gjermani.
“Ashtu siç është duke shkuar momentalisht nuk po funksionon. Duhet të shpejtojmë dhe të jemi më efektiv”, ka thënë Angela Merkel duke aluduar kështu në kthimin sa më të shpejtë të azilkërkuesve shqiptarë në Gjermani drejt Kosovës dhe Shqipërisë.