Anëtarët e VV-së në KQZ kritikojnë certifikimin e Listës Serbe: Ambasadorët e QUINT-it në mbrojtje të organizatave kriminale

E publikuar: 01/09/2025 19:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Anëtarët e VV-së, në mbledhjen e sotme të KQZ-së kanë kritikuar PZAP-në për vendimin për certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025 duke e quajtur atë të kundërligjshëm në bazë të nenit 30 paragrafit një të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

Anëtari i VV-së në KQZ, Alban Krasniqi tha se kjo vendimmarrje e PZAP-së do të dëmtoj rëndë demokracinë dhe cenoj rendin kushtetues të vendit.

Ai e quan një shkelje të rëndë, dëm i cili do të reflektoj edhe në procese zgjedhore në komuna ku Lista Serbe do të garoj.

Krasniqi gjithashtu tha se Listës Serbe i dolën në mbrojtje diplomatët e huaj “për hesape të tyre të ngushta politike ”.

“Si institucioni jonë ashtu edhe PZAP-ja, gjithashtu edhe Gjykata Supreme janë bërë në këtë rast pjesë e një vendimmarrjeje e cila do të dëmtoj rëndë demokracinë dhe e cenon edhe rendin kushtetues.. Është një vendimmarrje e qëllimtë si rezultat i presioneve, as të ambasadorëve ndoshta jo, të diplomatëve… Ne nuk mund të presim vendime të gjykatave për secilin person veç e veç. Është një shkelje e rëndë, dëm i rëndë për këto zgjedhje dhe ky dëm do të reflektoj edhe në procese zgjedhore në komuna ku Lista Serbe pretendon të garoj, aty nuk do të ketë demokraci, prej ambasadorit e përfaqësuesve të BE-së e gjithë të tjerët që janë të QUINT, e dinë shumë mirë se vet e kanë deklaruar. Edhe ata fatkeqësisht janë duke u vënë në mbrojtje të organizatave kriminale në vend për hesapet e tyre politike”, tha ai.

Edhe anëtari tjetër i VV-së, Sami Kurteshi shtoi se Gjykata Supreme ka bërë një rrëshqitje shumë të madhe duke delegjitimuar anëtarët e KQZ-së që kanë kompetencat ligjore me votua për certifikim ose jo certifikim, kurse sipas tij Listën Serbe e legjetimon për ankesë.

“Bazuar në dëshmitë e ofruara vendimi i PZAP-it dhe Gjykatës Supreme për certifikimin e Listës Serbe është i kundërligjshëm në bazë të nenit 30 paragrafit një të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, PZAP nuk i ka trajtuar fare dëshmitë, i ka quajtur irelevante. Gjykata Supreme, ka bërë një rrëshqitje shumë të madhe, i delegjitimon anëtarët e KQZ-së që kanë kompetencat ligjore me votua për certifikim ose kundërcertifikimit, kurse Listën Serbe e legjetimon për ankesë”, tha Kurteshi.

Në këtë mbledhje gjithashtu u morën vendime për de-certifikim e subjektit politik të certifikuar Partia Politike Gradajnska Inicijativa Opstanak, për zgjedhjet lokale 2025 dhe të disa anëtarëve për kuvende komunale nga parti të ndryshme politike.