Alexis Tsipras, ish-kryeministri i Greqisë, ishte sot pjesëmarrës në takimin e Komitetit për Politikë të Jashtme dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku u miratua Raporti për anëtarësimin e Kosovës.
Deputeti grek abstenoi në këtë proces të votimit, ndërsa ka thënë se duhen “më shumë veprime nga Kosova në mënyrë që anëtarësimi i saj në KiE të kontribuojë për paqen”.
Tsipras ka theksuar se Kosova falë përpjekjeve të raportueses për në KiE, Dora Bakoyannis, e ka vënë në zbatim vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronën e Manastirit të Deçanit.
Sipas tij, kjo nuk mjafton si kusht i vetëm për anëtarësim të Kosovës në KiE dhe se kërkohen veprime shtesë, “veçanërisht në lidhje me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe Ligjit për Shpronësimin e Pronave të Pakicave”.
Ai nënvizoi se tensioni është rritur shumë në rajon me përgjegjësi reciproke të palëve dhe nevojiten më shumë garanci paraprake për të kontribuar realisht për paqen në Ballkan, për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Deputeti grek shtoi se kërkohet diskutim shtesë me vendet që nuk e njohin Kosovën, për regjimin me të cilin do të anëtarësohet në këtë organizatë, shkruan mediumi grek “Hyath”.