Anëtarësimi i Kosovës në NATO, Hovenier: A jeni duke vepruar si aleatë, a kemi vlera të përbashkëta e a mund të kemi besim tek ju si aleatë?

E publikuar: 22/03/2024 23:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasadori i SHBA’së në Kosovë, Jeff Hovenier, në konferencën e organizuar për të shënuar 25 vjetorin e intervenimit të NATO’së kundër regjimit fashist serb të Slobodan Milosevic e pati edhe një porosi domethënëse për këtë pushtet kosovar por edhe për të gjithë pushtet e ardhshme sa i përket parimeve të partneritetit me Perëndimin demokratik, ato të shpalljes së pavarësisë.

Diplomati amerikan pasi adresoi çështjet e ditëve të sotme e krizën e radhës nmë dialogun drejt normalizmit të Kosovës me Serbinë ku s’la hapësirë për interpretime të qëndrimit të SHBA’së – të zbatohen ujditë e arritura deri tani me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian – ai iu qas edhe parimeve mbi të cilat SHBA intervenoi një çerek shekulli më parë në ndihmë të popullit kosovar dhe kërkoi që këto parime të kujtohen.

Ambasadori Hovenier shtoi se janë të përkushtuar “si gjithmonë të jemi partnerë për të siguruar që secili individ në Kosovë të jetojë në kushte dinjiteti, lirie e sigurie pa marrë parasysh etninë. Shpresoj të ripërkushtohemi për të ardhmen e Kosovës ku realizohen të gjitha ambiciet që në deklaratë të pavarësisë në Kushtetutë për një shoqëri sovrane, shumetnike e demokratike”.

Çështja e anëtarësimit në aleancë aq e përfolur nga ekzekutivi kosovar si ambicie e deklaruar, nuk është një ombrellë për t’u strehuar e përfituar, por një synim i merituar mbi vlera e parime demokratike që duhen dëshmuar aleatëve tha diplomati amerikan. Hovenier e theksoi se ai ka besim në këtë vizion për Kosovën.

“Rruga drejt zgjerimit të NATO’s nuk është që të jeni bindës ose që të kërkojmë se çfarë të bëjë për ju, rruga drejt zgjerimit të NATO’s është që të binden aleatët mbi atë se çfarë ju i sillni Aleancës. Askush nuk i bashkohet NATO’s për shkak të beneficioneve, i bashkohesh NATO’s sepse ke bërë reformat e domosdoshme dhe ke vendosur politikat e duhura në dy sfera, atë ushtarake dhe politike. A jeni duke vepruar si aleatë, a kemi vlera të përbashkëta a mund të kemi besimin tek ju si aleatë. A jemi të gatshëm të themi që burrat e gratë e reja nga Varshava ose ajo Ajova ose Nju Jorku, ose Roterdami janë të gatshëm të rrezikojnë jetën e tyre për t’ju mbrojtur juve. Këto janë pyetje shumë të rëndësishme që qeveritë i trajtojnë. Ka qenë sfiduese për qeveritë tjera do të jenë sfiduese për Qeverinë e Kosovës. Jam i bindur që mund të vazhdojmë ta shtyjmë këtë vizion së bashku.” – ka theksuar Hovenier siç raportoi Express.

Duke folur për një Europë të lirë e në paqe, Hovenier tha se stabiliteti në rajonin e Ballkanit Perëndimor është kyç. Përkushtimi në integrimi euro-atlantik i Kosovës përsëri u theksua

“Ne e shohim stabilitetin, sigurinë në Ballkanin Perëndimor si çelës të avancimit të këtij premtimi sidomos pas invazionit të pamëshirshëm të Putinit ndaj Ukrainës ku po shohim tmerre. Për Kosovën, urgjenca e integrimit europian dhe euroatlantik është e qartë. Është mënyra për të siguruar prosperitetin dhe liritë demokratike që i dëshironi për nipërit e mbesat e juaja”.