Pas aneksimit të katër rajoneve ukrainase nga Rusia, ekspertë amerikanë pohuan se përshkallëzimi i agresionit rus në Ukrainë pasqyron dështimin e presidentit Vladimir Putin por edhe strategjisë së tij që të frikësojë Kievin dhe perëndimin dhe t’i detyrojë të pranojnë kontrollin e tij mbi pjesë të territorit ukrainas.
Këshilltari i lartë në Këshillin e Atlantikut, Ian Brzezinski tha për VOA në programin në gjuhën serbe, se nga pikëpamja e tij Rusia mund të përpiqet të nxisë probleme në disa zona përreth saj ndërsa nuk përjashtoi mundësinë që presidenti rus Vladimir Putin të përpiqet të nxisë trazira dhe kriza edhe në Ballkan.
“Ka tensione në Ballkan midis grupeve të ndryshme etnike në vende të caktuara, vende të ndryshme kanë tensione me njëra-tjetrën dhe Kosova e Serbia janë një rast klasik. Pastaj ka një paqëndrueshmëri të mundshme ne Bosnjë përbrenda dhe rreth marrëdhënieve më Serbinë. Këto janë raste të dukshme ku ndërhyrja ruse mund të jetë interesante për Putinin si një mënyrë për të nxitur një lloj krize që do të shpërqendronte perëndimin”, Ian Brzezinski, Këshilli i Atlantikut.
Ambasadorja Jennifer Brush, e cila një kohë ka shërbyer në Ballkan, mendon se ndikimi më i madh i luftës në Ukrainë mund të shtrihet në Bosnje e Hercegovinë dhe në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.
“Ato popullata serbe janë nxitur aktivisht nga rusët. Janë zonat e vetme ku mund të keni një poster të Putinit dhe ku Putini ka popullaritet, madje është ndoshta më popullor në Banja Llukë sesa në Moskë. Koncepti rus për botën ruse ka nxitur ringjalljen e idesë për botën serbe, por dështimi i dukshëm i Rusisë në Ukrainë do të dështojë edhe përpjekjet serbe për një botë të tillë”, u shpreh Jennifer Brush.
Të dy ekspertët e cilësuan të pavend nënshkrimin e një marrëveshjeje ndërmjet Serbisë dhe Rusisë për “konsultime” të ndërsjella mbi çështjet e politikës së jashtme.
Ata e cilësuan interesante të shohësh qeverinë serbe dhe zyrtarët e lartë serbë të jenë kritikë ndaj agresionit rus në Ukrainë dhe ndaj referendumeve të Rusisë.
Por nga Serbia dërgohen sinjale të përziera, shprehen ata, duke theksuar se bashkëpunimi me Moskën nuk është në interesin e Beogradit, dhe ai tashmë duhet të pozicionohet qartë.
/Top Channel/