Zvicra vazhdon të rritë talentet shqiptare të futbollit. Ky është rasti i sulmuesit Andi Qerfozi. 19-vjeçari është pjesë e ekipit të St. Gallen. Bëhet fjalë për një sulmues qendre, që falë shtatlartësisë krijon një pikë referimi në sulm dhe zotëron goditje potente me të djathtën.
Lojtari është afruar gjatë kësaj merkato vere, pas dy sezoneve ku mbrojti ngjyrat e FC Frauenfeld në kategorinë e pestë. Në edicionin e fundit gjatë aktivizimit në Ligën Ndër-rajonale, Andi Qerfozi u shpall golashënuesi më i mirë me 24 gola të shënuar. Pavarësisht karrierës së re, futbollisti numëron 38 gola në 45 ndeshje zyrtare.
Një mesatare mbresëlënëse, për atë që duket një sulmues premtues për të ardhmen. Andi Qerozi konfirmoi menjëherë cilësitë përpara portës edhe me elitarët e St. Gallen. Edhe pse i afruar në klub prej tre javësh, trajneri Saibene e cilëson alternativë për ndeshjet në Superligë dhe Kupë, ku i dha shansin të debutonte me ekipin e parë.
St. Gallen fitoi me shifrat e thella 9-0 në Kupë përballë FC Hausen, me sulmuesin që realizoi dy prej golave. Dy rrjeta të tjera, talenti i ka shënuar në javët e para të kampionatit me ekipin e dytë, që militon në Promotion League, kategorinë e tretë zvicerane.
Andi Qerfozi ka lindur në Zvicër, në vitin 1995 dhe është djali i ish-volejbollistit të Kombëtares, Grigor Qerfozi. Djaloshi zotëron nënshtetësinë shqiptare, ndërsa prej moshës 14-vjeçare është në radarët e Federatës së Futbollit, ku u testua nga ish-trajneri i Kombëtares U-17 të Shqipërisë, Sulejman Demollari./ss/