Aktualisht Andi Lila është i grumbulluar me Kombëtaren dhe është i fokusuar te sfida e 13 qershorit me Francën, por vrapi, shpirtin e sakrificës dhe paraqitjet bindëse që dhuroi në pjesën e dytë të sezonit me Parmën, i kanë shtruar rrugën e qëndrimit në Serinë A, pavarësisht së ardhmes së klubit emiljan që është në krizë të plotë për sa i përket aspektit administrativ. Specialisti i merkatos italiane, gazetari i Sky Italia Gianluca Di Marzio, gjithnjë e më i vëmendshëm ndaj cështjeve që kanë të bëjnë me futbollin shqiptar njofton në faqen e tij se me paraqitjet e tij Lila ka bindur plotësisht Atalantën që e konsideron një ndër objektivat kryesorë të merkatos. Duke ju referuar Di Marzios Atalanta është e vendosur ti besojë Lilës për të përforcuar grupin për sezonin e ardhshëm.
Mënyra e transferimit mbetet për tu parë në varësi të dinamikës së situatës administrative te Parma, klub me të cilin Lila ka edhe tre vjet kontratë. Nëse Parma ja del të shpëtojë nga falimenti që mbetet një kërcënim serioz atëherë Atalantës i duhet të hyjë në negociata me klubin emiljan për transferimin e Lilës, ndërsa në rast falimentimi të Parmës Lila mund të shkoje të Atalanta me kosto zero. Mbrojtësi kavajas që u transferua te Parma në janar dhe shënoi gjatë fazës së dytë edhe dy gola ndaj Sasuolos dhe Interit i ka të gjitha kartat për të vijuar aventurën e tij në Serinë A, te Atalanta janë gati ta presin me krahë hapur. Mundi dhe sakrifica e 29 vjecarit nuk kanë shkuar më kot, ajo e Andi Lilës është një histori që provon se puna gjithmonë shpërblen./ss/