Ancelotti: Objektivi jonë është finalja

E publikuar: 04/05/2015 20:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Carlo Ancelotti rikthehet në Torino, por këtë herë si kundërshtar i Juventusit, skuadër me të cilën arriti disa suksese të rëndësishme në karrierën e tij. Trajneri i Realit të Madridit do të sfidojë të shkuarën për të kërkuar lavdinë në sportin e futbollit pasi një kualifikim i mundshëm në finale do të ishte një arritje fantastike për karrierën e tij. Në prag të ndeshjes së parë gjysmëfinale që do të luhet në “Juventus Stadium”. Ancelotti e pranon se gjatë dy viteve të kaluara si bardhezi ka pasur probleme me një pjesë të tifozerisë por marrëdhënia me shoqërinë dhe lojtarët ishte korrekte. Në vijim, ai përqëndrohet te sfida e Champions League.

“Formacionin e kam vendosur por nuk do ta bëj publik. Kjo është një ndeshje e ndryshme në krahasim nga ajo me Atleticon e Madridit. Juventusit i pëlqen ta mbajë topin por edhe ne e duam një gjë të tillë. Do të jetë një sfidë e komplikuar por stimuluese. Juventusi ka fituar shumë eksperiencë gjatë viteve të fundit dhe ditët e fundit ka arritur të fitojë kampionatin”.

Në vijim, Ancelotti vë theksin te objektivi që ka skuadra e tij.

“Gjëja më e rëndësishme është që të luajmë mirë duke treguar cilësitë tona. Mund të kalojmë edhe me dy barazime. Do të sulmojmë në këto dy sfida por na duhet edhe të mbrojmë mirë. Do ta nisim këtë ndeshje me 4 mbrojtës dhe Sergio Ramos mund të luajë mesfushor”.

Reali i Madridit ka arritur të fitrojë vetëm një herë në Torino me Juventusin por Ancelottin nuk e tremb aspak ky fakt.

“Kjo është një statistikë që tregon se Juventusi ka pasur gjithmonë një skuadër të fortë. Gjithsesi, ne dëshirojmë me çdo kusht të kualifikohemi në finale dhe do të japim maksimumin në 180 minuta. Për momentin gëzojmë një formë të mirë edhe pse gjatë dimrit vuajtëm pak. Skuadra është gati pavarësisht dëmtimeve”.

Në fund, trajneri italian bën një koment për Andrea Pirlon por edhe për gjendjen e Gareth Bale.

“Shpresoj që Andrea të vazhdojë të luajë me këtë fanellë edhe vitin e ardhshëm. Kam lexuar që më konsideron si një baba por ai për mua është si një vëlla. Bale? Është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi në gju. Luajti gjysmë ore me Sevillan por tani është në gjendje të mirë”.