Ancelotti: Nuk do të firmosja kurrë për Interin

E publikuar: 19/10/2015 13:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në respekt të Milanit, Carlo Ancelotti nuk do të drejtonte asnjëherë një skuadër si Interi. Këtë e bën të ditur vetë trajneri italian që pas largimit nga Reali i Madridit ka vendosur të pushojë për një vit dhe më pas të rinisë punën në drejtimin e një klubi. Ancelotti që është edhe trajneri i fundit i një suksesi kuqezi në Europë, refuzoi ofertën e Gallianit për t’u rikthyer në “Milanello” gjatë kësja vere edhe pse sukseset më të mëdha të karrierës i ka regjistruar pikërisht me ekipin nga Milano.

“Nuk do ta pranoj asnjëherë një ofertë të mundshme nga ana e Interit sepse kam drejtuar për shumë vite Milanin dhe këtu bëhet fjalë për respekt ndaj historisë time dhe ndaj klubit që kam drejtuar”.

Në vijim ai shton se propozimi i Gallianit e joshi por disa probleme shëndetësore e ndaluan të hidhte firmën në kontratën e propozuar.

“Kur u largova nga Madridi, Galliani më kontaktoi por unë do t’i nënshtrohesha një operacioni dhe për rreth 4 muaj nuk do të isha i gatshëm të drejtoja skuadrën. Më erdhi pak keq që e refuzova por drejtuesit e Milanit më kuptuan”.

Por përveç Milanit, një opsion i mundshëm për trajnerin italian mbetet edhe Paris Saint Germain ku fitoi titullin e Ligue 1 në vitin 2013.

“Kam pasur fatin e mirë që të shijoj suksese kudo që kam shkuar. Për këtë arsye nuk mund të them se nuk do të rikthehem një ditë te Milani apo te PSG. Edhe pse me këto dy skuadra e kam mbyllur bashkëpunimin, nuk mund ta mohoj se kam kaluar momente të lumtura”.