Ancelotti-Milan, Berlusconi kërkon ish trajnerin

E publikuar: 21/05/2015 09:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ancelotti-Milan, një skenar që mund të përsëritet. Divorci tashmë i paevitueshëm me Realin e Madridit çel një skenar të ri për të ardhmen e trajnerit italian i cili mund të rikthehet në krye të stolit të Milanit. Që prej disa javësh Ancelotti ka nisur kontaktet me Adriano Gallianin, me të cilin ka ruajtur një marrëdhënie të ngrohtë edhe pas largimit në vitin 2009 me destinacion Chelsean. Gjatë javës së fundit, konfliktet me presidentin Perez kanë dalë në sipërfaqe, kjo edhe për shkak të dështimit të objektivave në një sezon ku Reali është i detyruar të shkojë me pushime pa asnjë trofe. Ideja e rikthimit të Ancelottit te Milani është nxitur nga presidenti Silvio Berlusconi, i cili duket i vendosur për të rindërtuar një skuadër të fortë për sezonin e ardhshëm. Edhe gjatë daljeve të fundit në publik, ai ka lënë të kuptohet se arritja e marrëveshjes së mundshme për shitjen e klubit duket e largët pasi kërkon që presidenca të mos shkëputet nga duart e tij.

Aktualisht, Ancelotti është alternativa më e pëlqyeshme nga tifozët kuqezi, madje ai preferohet edhe përpara Antonio Contes. Me mbërritjen e tij në Madrid gjatë vitit 2013 me një kontratë 3-vjeçare dhe 7.5 mln Euro në sezon plus bonuset dhe Milani i ka varur shpresat te një shkarkim i mundshëm për të kursyer sa më shumë nga ky operacion sepse përndryshe transferimi i Ancelottit mund të kushtojë shumë. Aktualisht në librin e pagave figurojnë edhe Clarence Seedorf e Pippo Inzaghi dhe një një tjetër firmë në bordero do të ishte një barrë e madhe financiare për një klub që nuk shikon ende dritë jeshile në aspektin ekonomik.