Analiza akademike e Islamit nuk është ekstremizem politik

E publikuar: 15/12/2025 13:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Avni Jashari

Unë e njoh personalisht prof. Milazim Krasniqin dhe kam pasur rastin ta takoj disa herë, përfshirë edhe në prani të kolegut tim Fehmi Maloku. Duke e njohur nga afër si intelektual dhe duke qenë i njohur me veprën e tij publike dhe akademike, ndjej obligim moral dhe intelektual të reagoj ndaj akuzave të pabaza që po i bëhen, duke e etiketuar padrejtësisht si “ekstremist politik islam”.

Prof. Milazim Krasniqi është mbrojtës i Islamit si fe, jo si ideologji politike. Mbrojtja e tij ka qenë e vazhdueshme, e argumentuar dhe e shprehur në mënyrë akademike, përmes analizave kritike ndaj islamofobisë, demonizimit të Islamit dhe përdorimit ideologjik të termave si “Islam politik” apo “ekstremizëm islamik”.

Në këtë kontekst duhet kuptuar edhe deklarimet e tij lidhur me të ashtuquajturin “Grupi i Deçanit”. Prof. Krasniqi këtë grup e ka akuzuar qartë si dukuri destruktive, duke theksuar se për këtë fenomen nuk ka pasur ende reagim serioz institucional nga Perëndimi, as nga qendrat e mëdha morale e fetare, përfshirë edhe Vatikanin. Ky konstatim nuk është nxitje, as justifikim, por kritikë ndaj standardeve të dyfishta në trajtimin e ekstremizmave.

Të vëresh publikisht se disa forma të radikalizmit trajtohen me heshtje, ndërsa të tjerat me zhurmë mediatike, është analizë politike dhe sociologjike, jo ekstremizëm. Në shkencat shoqërore, mungesa e reagimit ndërkombëtar përballë dukurive destruktive është temë legjitime studimi dhe debati.

Problemi këtu nuk është ajo që thotë prof. Krasniqi, por fakti se disa individë dhe pseudo-analistë televizivë nuk bëjnë dallim mes analizës kritike dhe mbështetjes ideologjike. Kjo mungesë elementare e metodologjisë akademike po prodhon etiketime të rrezikshme dhe po varfëron debatin publik.

Duhet thënë qartë:

Të akuzosh një dukuri destruktive nuk është ekstremizëm.

Të kritikosh heshtjen e Perëndimit apo të Vatikanit nuk është radikalizëm.

Të mbrosh Islamin nga demonizimi nuk do të thotë ta politizosh atë.

Prof. Milazim Krasniqi ka qenë dhe mbetet një intelektual që e mbron Islamin nga keqinterpretimet, nga stigmatizimi dhe nga instrumentalizimi politik, duke kritikuar njëkohësisht çdo formë devijimi apo destruktiviteti, pa përjashtim.

Etiketimi i tij si “ekstremist” është jo vetëm i pavërtetë, por edhe i rrezikshëm për lirinë akademike dhe për vet debatin demokratik në Kosovë.

Kjo nuk është mbrojtje e ekstremizmit.
Kjo është mbrojtje e arsyes, e fesë dhe e standardit akademik.

A.J
14.12.2025