Analistët: Thaçi te memorialët serbë për Specialen

E publikuar: 21/08/2016 08:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Analisti Belul Beqaj mendon që Thaçi po viziton memorialët e serbëve të vrarë si kusht për të mos u ndjekur nga Gjykata Speciale.
Presidenti i Republikës Hashim Thaçi befasoi shumëkë kur para rreth 1 muaji bëri homazhe para monumentit serb në fshatin Grackë të Lipjanit që ishte ndërtuar në kujtim të 14 fshatarëve të këtij nacionaliteti të vrarë në vitin 1999.

Mirëpo edhe pse disa e vlerësonin aktin e tij human nuk mund ta merrnin si të mirëqenë faktin që në ato monument shkruhej që këto janë viktima të terrorit shqiptar, ani pse ende nuk ka ndonjë vendim nga organet e drejtësisë.

Mirëpo kjo nuk e ndali të parin e shtetit, ish-udhëheqësin politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçin që ta bëjë edhe një vizitë të dytë në një memorial serb.

Më 13 gusht Presidenti Thaçi qëndroi në Gorazhdevc të Pejës ku edhe aty vizitoi memorialin për dy të rinj serbë që ishin vrarë në vitin 2003. Edhe në këtë memorial vrasja iu atribuohet “terrroristëve shqiptarë”, edhe ende autorët e këtij krimi nuk janë gjetur dhe dënuarr nga gjykatat.

Analisti Imer Mushkolaj përuljen e Presidentit Thaçi para këtyre dy memorialëve e vlerëson gjest fisnik por të gabuar.

“Përulja para viktimave pa marrë parasysh cilit nacionalitet i takojnë, është gjest fisnik nga kushdo që bëhet. Por, në rastin e Presidentit Thaçi kemi të bëjmë me përuljen para lapidarëve në të cilët shkruan se viktimat janë vrarë nga terroristë shqiptarë. Në këtë mënyrë, Thaçi po ua mvesh përgjegjësinë e krimeve shqiptarëve, edhe pse autorët ende nuk janë gjetur e dënuar”, tha për KALLXO.com Mushkolaj.

Belul Beqaj, analisti tjetër që foli për KALLXO.com transformimin e Thaçit nga një drejtues politik të guerilëve të UÇK-së në vizitues të memorialëve të serbëve të vrarë pas luftës, e vlerëson pozitivisht.