Kanë mbetur më pak se dy javë nga prezantimi i telefonit inteligjent të ardhshëm të LG-ës, G4. Kompania koreano-jugore ka shfaqur disa pamje dhe specifika të këtij telefoni inteligjent, kështu kemi një ide se si do të jetë ai. Megjithatë, ka akoma pyetje të rëndësishme që kërkojnë përgjigje, si kur do të dalë në treg dhe sa do të kushtojë.
Një analist nga kompania IBK Investment & Securities me bazë në Seul mendon se pajisja e re e LG-ës nuk do të ketë po aq sukses sa LG G3, dhe shitjet e tij nuk do të tejkalojnë shitjet e rreth 10 milionë njësive të G3. Kjo për shkak të daljes në treg të Samsung Galaxy S6 dhe E6 Edge, që deri tani janë telefonat inteligjentë më të mirë, prandaj edhe kushtet e tregut nuk do të jenë shumë të favorshme për LG G4.
Një tjetër analist parashikon se përdorimi i procesorit Snapdragon 808 në vend të Snapdragon 810 tek G4 mund të jetë një vendim jo i mirë i LG. Megjithatë, duhet të theksojmë se LG nuk ka konfirmuar akoma se pajisja do të fuqizohet nga procesori Snapdragon 808.
LG ka konfirmuar vetëm që telefoni inteligjent do të ketë kamerë të pasme 16 megapikselë me hapje f/1.8, kamerë frontale 8 megapikselë, sistemin operativ Android Lollipop me një ndërfaqe të re dhe ekran 5.5 inç Quad HD. G4 do të ofrohet në disa variante, duke përfshirë këtu kasat prej lëkure dhe me plastikë.