Përkundër kërkesës së përsëritur të LDK, mbështetur edhe nga Vetëvendosje për zgjedhje të parakohshme, njohësit e proceseve politike konsiderojnë se nuk është moment i përshtatshëm për zgjedhje. Madje sipas tyre, as vetë partive që po i kërkojnë këto zgjedhje, nuk iu konvenon të futen në një proces të tillë.
Pas zhvillimeve të fundit, siç është rasti i deportimit të gjashtë shtetasve turq, kërkesa e opozitës për zgjedhje të jashtëzakonshme është shtuar. LDK-ja është më e zëshmja, ndërsa edhe Vetëvendosje kërkon zgjedhje të reja. Vetëm Grupi i Deputetëve të Pavarur, i ndarë nga Vetëvendosje, është raportuar se nuk është i interesuar për zgjedhje të parakohshme. Analistët politikë dhe njohësit e proceseve zgjedhore, nuk e shohin si shumë serioze kërkesën për zgjedhje. Analisti Imer Mushkolaj thotë se përkundër deklarimeve, nuk sheh interesim serioz të subjekteve opozitare për të shkuar në zgjedhje.
“Partitë politike nuk janë në situatën më të mirë për zgjedhje. Lëvizja Vetëvendosje është e ndarë, LDK-së do të mund t’i konvenonin zgjedhjet, por tash gjendet përballë sfidës së zgjedhjes së liderit të partisë, kështu që edhe aty priten zhvillime. Në anën tjetër Grupi i Deputetëve të Pavarur, ende nuk është konsoliduar dhe ende nuk dihet se si do të mund të funksionojë si subjekt politik”, tha Mushkolaj për Radio Kosovën.
Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se Qeveria ka mbështetje edhe më shumë sesa që e kishte në fillim të mandatit, ndërsa seriozitetin e LDK-së për zgjedhje, në njëfarë forme e ka vë në pikëpyetje, duke ofruar në mënyrë ironike mbështetjen e AAK-së për një kërkesë të tillë.
“Për të shkuar në zgjedhje është mirë, besoj edhe ne Aleanca dhe koalicioni qeverisës ia japim votat LDK-së, nëse janë për zgjedhje”, ka thënë Haradinaj.
Ndërsa njohësi i proceseve zgjedhore, Driton Qeriqi, vlerëson se Kosova nuk e ka komoditetin që kaq shpesh të mbajë zgjedhje.
“Në radhë të parë, po dëshmojmë jo-stabilitet të funksionimit të institucioneve; sapo po fillojmë, po shkëputemi nga tema që janë të rëndësishme për vendin si integrimet, zhvillimi ekonomik, implementimi i projekteve të filluara, e mbi të gjitha po dëmtojmë edhe buxhetin e vendit”, tha Qeriqi për Radio Kosovën.
Organizimi i shpeshtë i zgjedhjeve, sipas Qeriqit, po ndikon negativisht edhe sa i përket integrimeve evropiane dhe zhvillimit ekonomik, pasi që, siç thotë ai, nga momenti i shpalljes së zgjedhjeve e deri në funksionalizimin e institucioneve të reja, po paralizohen gati të gjitha aktivitetet. Sidoqoftë, Qeriqi thotë se ky është roli i opozitës dhe në rastin konkret, opozita e ka rastin të kërkojë zgjedhje, kur kihet parasysh fakti që koalicioni qeverisës ka mungesë të madhe të numrave në Kuvend. Pas kalimit të Listës Serbe në opozitë, koalicioni qeverisës ka mbetur me vetëm 52 deputetë në Kuvend./RTK/

















