Analistët: Escobar dhe Lajçak do të ndihmojë në qetësimin e situatës në veri

E publikuar: 04/06/2023 16:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vizita e nesërme në Kosovë dhe pastaj në Serbi e të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak dhe të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për Ballkan, Gabriel Escobar, sipas analistëve politikë, po konsiderohet efektive për normalizimin e situatës në veri të vendit.

Ata po ashtu po vlerësojnë se edhe propozimi evropian për organizmin e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore në Kosovë, do të kontribuojnë në qetësimin e situatës.

Analisti Fidan Ukaj tha për KosovaPress, se vizita e tyre do të ketë ndikim të madh për ta qetësuar gjendjen në veri të vendit. Sipas tij, edhe në takimin e presidentes së vendit, Vjosa Osmani me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka pasur një dakordim se si të dilet nga kjo gjendje.

Analisti Dritoro Arifi ka thënë se presioni nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, ka ndikuar në ç’tensionimin e situatës në veri të vendit.

Arifi tha se ardhja e Escobar dhe Lajçak, do ta drejtojë çështjen në atë që do të mbahen zgjedhjet e reja.

Ndërsa, sa i përket dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, Arifi ka thënë se mënyra se si BE po e udhëheq dialogun, po i tregon Serbisë dhe Rusisë, që çështja e Kosovës është papërfunduar politikisht.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkan, Gabriel Escobar, do ta vizitojnë Prishtinën dhe Beogradin të hënën dhe të martën.

Vizita e tyre, do të ketë për qëllim të gjejë një zgjidhje për të dalë nga situata aktuale, e cila rrezikon të dëmtojë gjithë atë që BE-ja e konsideron si sukses në dialog. Pra, fokusi së pari do të jetë në uljen e tensioneve dhe vazhdimi i përpjekjeve në bazë të asaj që është propozuar pas takimit në Moldavi.

Në Moldavi, më 1 qershor, udhëheqësit e Gjermanisë dhe Francës, Olaf Scholz dhe Emmanuel Macron u kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë të mbajnë zgjedhje të reja në komunat në veri të Kosovës, gjatë takimit të tyre me presidentët e të dy vendeve, Vjosa Osmanin dhe Aleksandar Vuçiqin.

Ndryshe, presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se mund të bëhen zgjedhjet në veri, duke respektuar ligjet në fuqi.

Protestuesit serbë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale. Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit, kur kryetarët e betuar janë detyruar të hyjnë në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës. Të hënën (29) protestuesit me maska por edhe ata pa maska, kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar e djegur vetura të KFOR-it, policisë dhe mediave.

Si pasojë e tensioneve atje, Bashkimi Evropian, përmes përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme, Josep Borrell ka paraqitur tri kërkesa për de-eskalimin e situatës në veri.