Analistët e shohin si mundësi një koalicion LVV–PDK pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit

E publikuar: 14/12/2025 10:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Procesi zgjedhor i 28 dhjetorit pritet të përcaktojë jo vetëm fituesin e radhës, por edhe kahjen e zhvillimeve politike dhe mundësinë e krijimit të institucioneve të reja. Sipas analistëve politikë, rezultati i partisë fituese dhe balanca e forcave në Kuvend do të jenë vendimtare për shmangien e krizave të tjera politike dhe përfundimin e ciklit njëvjeçar të pamundësisë për të formuar institucionet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Sipas tyre ekziston mundësia e një koalicioni mes Lëvizjes Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës, si një nga opsionet për të siguruar funksionimin e institucioneve qendrore të vendit.

Analisti politik Afrim Kasollit në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve Ekonomia Online tha se rezultati i zgjedhjeve nuk do të përcaktojë vetëm fituesin, por edhe mundësinë e zgjidhjeve për krijimin e institucioneve qendrore.

“Është normale që do të kemi një fitues, po varet se sa do të jetë përqindje e fituesit dhe ajo më pastaj do të përcaktojë kahjen e proceseve politike a do të jemi peng të këtyre krizave permanente politike që do të dështohen në krijim e institucioneve të reja edhe pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit apo do të gjindet një rrugëdalje dhe t’i jepte fund këtij cikli një vjeçar të pamundësi së krijimit të institucioneve qendrore prej zgjedhjeve të 9 shkurtit”, tha ai.

Ai shtoi se VV-ja hyn në këto zgjedhje me pritshmërinë për të fituar mbi 50 për qind të votave, duke shpresuar që të mund të krijojë institucione pa ndihmën e partive të tjera parlamentare.

“Duhet ta themi hapur dhe qartë se cilat janë arsyet se kanë rezultuar në këto zgjedhje të jashtëzakonshme. Sipas kalkuimeve të VV-së shihet qartë se ajo hynë me pretendimin që do t’i fitojë mbi 50 për qind të trupit elektoral të atyre që votojnë në Kosovë dhe me këtë ka shpresë që do të jetë në gjendje që e vetme pa ndihmë e partive tjera dhe subjekteve tjera parlamentare të jetë në gjendje t’i krijoj institucionet. Kjo është pak a shumë narracioni edhe i Albin Kurtit edhe në përgjithësi i VV-së, se na duhet një fitore më e madhe sepse vetëm në këtë mënyrë mund të zhbllokohet shteti”, tha ai.

Kasolli vuri në dukje gjithashtu se subjekte të tjera parlamentare marrin pjesë në këto zgjedhje me shpresen për të ulur nivelin e përfaqësimit të VV-së.

“Në anë tjetër unë jam i bindur që subjektet tjera parlamentare do të shkojnë në këto zgjedhje me shpresën që së paku do të mund ta ulin nivelin e përqindjes së VV-së të paktën në 40 deputet. Sa do të kenë sukses në këtë drejtim mbetet të shihet. Po këto janë dy kalkulimet kryesore që qëndrojnë në thelb të zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme parlamentare që do të mbahen me 28 dhjetor”, tha ai.

Ai shtoi se, edhe pse VV-ja nuk ka treguar deri tani vullnet për koalicione, kjo nuk përjashton mundësinë që në të ardhmen të ndodhë një bashkëpunim me subjekte të tjera për formimin e institucioneve qendrore, duke përfshirë këtu edhe koalicionin VV-PDK.

“Nëse gjykojmë në sjelljen e deri tanishme VV-ja nuk ka pasur vullnet të krijoj koalicion me subjektet tjera parlamentare sepse po ta kishte pasur këtë vullnet, po ta kishte pasur këtë synim ajo ka mundur ta bëjë edhe me rezultatin e arritur me zgjedhjet e 9 shkurtit. Edhe subjektet tjera nuk është që kanë dhënë një farë mundësie që janë të gatshme që të krijojnë koalicion qeveritar edhe pa VV për ta lënë në opozitë ndërmjet veti. Nuk duhet përjashtuar një mundësi hipotetike këtë po e lëme si opsion, që nëse subjektet politike do ta kenë këtë rezultat atëherë do të mund ta përdorin si justifikim para elektoratit dhe bazës së tyre partiake për koalicione ardhëm qeveritare në çfarëdo mënyrë, qofshin ato të LDK-së apo të PDK-së me VV-në, por edhe të VV-së me njërën nga këto subjekte”.

“I kemi parë disa lëvizje interesante në këtë drejtim, Kurti e ka uruar kryetarin e PDK-së Bedri Hamza me të marr detyrën e re si lider i kësaj partie, por në të njëjtë kohë edhe kryetari i PDK-së Hamza, ka kohë që e potencojnë në mënyrë të vazhdueshme që është kundër çdo vije të kuqe, duke lënë mundësitë e hapura për çdo lloj koalicion të mundshëm qeveritar për t’i dhënë vendit institucione”, tha ai.

Ndërsa politologu Albinot Maloku vlerësoi se bllokadat politike që kanë ndodhur deri tani nuk kanë shërbyer për vendin dhe se partitë duhet të veprojnë me përgjegjësi ndaj qytetarëve.

“Kujdo që ka me i konvenuar bllokada siç ka qenë, kjo është me i bë dëm vendit. Unë konsideroj që edhe subjektet politike edhe liderët e tyre do të duhej të ishin të ndërgjegjshëm ndaj nevojave të cilën i ka Kosova dhe qytetari i saj. E sidomos humbjet që i ka pësuar viteve dhe kohëve të fundit si pasojë e veprimeve të lidershipit politik në Kosovë, e sidomos subjektet të cilat pas 9 shkurtit kishin disa privilegje për rrjedhojë edhe obligimeve, detyrave të cilat nuk i kryen si duhet dhe kemi këtë proces të parakohshëm zgjedhor të 28 dhjetorit. Konsideroj se do t’i kemi gjithsesi sipas një rendije, jo me fitues absolut siç ishte viti 2021. Mirëpo do të kemi këtë renditje 1-2-3. Dhe kemi tani edhe sqarimet edhe kushtetuese ligjore, besoj fuqishëm që kemi një pozicion shumë më ndryshe. Gjithmonë është ajo shpresa që megjithatë do të ketë edhe një maturi politike ndaj obligimeve të cilat i kanë lidershipi dhe subjektet politike në raport edhe me qytetarin edhe me votuesin por edhe me shtetin”, tha ai.

Maloku shtoi se një bashkëpunim mes VV-së dhe PDK-së mund të ishte opsion strategjik për t’u përmbushur obligimet ndaj qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.

“Vazhdoj të jem i mendimit që duke pasur parasysh nevojat që i ka Kosova dhe obligimet qoftë ndaj qytetarit, qoftë edhe ndaj aleatëve dhe faktorit ndërkombëtar. Dhe obligimet ndërkombëtare, sidomos kur po flasim për pajtimin e ndodhur në Bruksel dhe Ohër. Pastaj marrëveshjet tjera të cilat kanë qenë, kishte me qenë e mirë, diçka një përvojë e pa provuar siç mund të ishte një partneritet mes VV-së dhe PDK-së. Në aktualitet duke ndoshta të pa mundur mirëpo kishte me qenë rekomandimi më i mirë ndoshta për të ecur përpara drejt obligimeve. Kemi të bëjmë me një subjekt politik që ka qenë shtet ndërtues, me një subjekt politik që provon të prezantohet si shtet formues dhe për rrjedhojë do të kishim një kombinim të pranueshëm për të jetësuar obligimet që i ka Kosova”, tha ai.