Amir Saipi, lojtari i ndeshjes ndaj Baselit – priti penalltinë e Shaqirit

E publikuar: 09/11/2025 17:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Para ndeshjes së sotme ndaj Baselit – kampionit në fuqi të Zvicrës – portieri Amir Saipi kishte 11 ndeshje radhazi larg portës dhe fushës së blertë, me klubin e tij Luganon dhe kombëtaren e Kosovës.

Mirëpo, atëherë kur i duhej më shumë klubit dhe pas disa ditësh Kosovës, Saipi e rimori vetën dhe tregoi një paraqitje të madhe ndaj Baselit.

Saipi madje u shpall lojtari i ndeshjes nga FlashScore, me notën prej 8.9.

25-vjeçari pati shtatë pritje në këtë ndeshje, të cilën Lugano e fitoi 1-0.

Saipi e mbajti portën e paprekur edhe në momentin kur Xherdan Shaqiri mori topin dhe goditi penalltinë për Baselin. Portieri dardan ia priti penalltinë “Shaqës” në minutën e 27-të të ndeshjes.

Me këto tri pikë, Lugano shkon në kuotën e 19-të pikëve pas 12 ndeshjeve, ndërsa Baseli është i dyti me 22 pikë pas 13-të ndeshjeve.

Ndërkohë, Saipi është i ftuar te kombëtarja e Kosovës për ndeshjet e nëntorit, që “Dardanët” i luajnë në kuadër të kualifikimeve për Botërorin e 2026-ës.

Sipas gjitha gjasave, Saipi mund të startojë në ndeshjen ndaj Sllovenisë, pasi Arijanet Muric do të mungojë shkaku i suspendimit me kartonë.

Ndeshja Slloveni – Kosovë luhet më 15 nëntor në Ljubjanë, teksa ajo mes Zvicrën luhet në Prishtinë më 18 nëntor.

Kosova është e dyta në Grupin B me shtatë pikë nga katër ndeshje, gjersa Zvicra është e para me dhjetë pikë.

Sllovenia ka tri pikë nga katër ndeshje, teksa Suedia ka vetëm një pikë, si e fundit në tabelë.