Amir Rrahmani, zyrtarisht lojtar i RNK Split

E publikuar: 05/06/2015 13:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas largimit të Ardian Cuculit, Partizani humbet një tjetër element të rëndësishëm në fazën mbrojtëse.

Amir Rrahmani i ka dhënë fund aventurës me të kuqtë, për t’iu bashkuar RNK Splitit në kampionatin kroat. Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, klubi i Partizanit i uron suksese futbollistit në karrierën e tij sportive. Në fakt RNK Split, ku luan edhe sulmuesi i Kombëtares Shqiptare, Sokol Cikalleshi, e ka kërkuar edhe gjatë Janarit mbrojtësin 21-vjeçar, por tratativat u mbyllën me sukses vetëm me përfundimin e sezonit.

Amir Rrahmani e nisi karrierën te skuadra e Drenicës në Kosove, për t’iu bashkuar Partizanit në verë të 2013 në moshën 19-vjeçare. Pas paraqitjeve të mira me të kuqtë, mori ftesë nga Skënder Gega në përfaqësuesen U-21, ndërsa një vit më parë ishte pjesë e kuqezinjve të De Biasit në miqësoren me San Marinon. Rrahmani ka marrë sërish ftesë nga trajneri i kombëtares për miqësoren me Francën, që do të zhvillohet në “Elbasan Arena” më 13 Qershor./supersport.al/