AMbasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, ka bërë të ditur se SHBA-ja është e zhgënjyer thellë me moskalimin e amendamenteve që hapnin rrugën e themelimit të Gjykatës Speciale.
Ajo ka bërë të qartë se kjo çfarë ka dëshmuar të premten Kuvendi i Kosovës është një pengesë për aspiratat euroatlantike të Kosovës.
Jacobson bën sërish të ditur se Qeveria amerikane nuk do t’i bllokojë përpjekjet e vendeve që nuk e njohin Kosovën që të themelojnë Tribunalin në OKB në mungesë të themelimit të saj me lejen e Kuvendit të Kosovës.
“Ne jemi të zhgënjyer thellë nga rezultati i votimit të sotëm në Kuvend. Rezultati është një pengesë për aspiratat euroatlantike të Kosovës. Siç e kemi theksuar më parë, në mungesë të themelimit të Gjykatës Speciale, Qeveria e SHBA-së nuk do t’i bllokojë më përpjekjet e anëtarëve që s’e njohin Kosovën që të themelojnë Tribunalin në OKB”, ka thënë ambasadorja Jacobson për “Zërin”.