Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka dhënë detaje lidhur me situatën e përgjithshme në vend që lidhet me zonat e prekura nga vërshimet.
Sipas njoftimit, gjendja në nivel të vendit është e menaxhueshme, derisa në disa rajone ka vështirësi për shkak të shiut dhe reshjeve të borës.
Njoftimi i plotë:
PËRDITËSIM I SITUATËS ME VËRSHIME
10.01.2026 08:00–16:00,
Në nivel vendi
Sipas informatave nga Qendrat Operative Emergjente 112 dhe strukturat lokale të reagimit, situata e vërshimeve në Republikën e Kosovës paraqitet e menaxhueshme, por me vështirësi të theksuara në disa rajone për shkak të reshjeve të shiut dhe borës.
Zhvillime kryesore sipas rajoneve
Rajoni i Prishtinës: vërshime të lokalizuara në Prishtinë, Fushë Kosovë, Lipjan, Obiliq, Drenas, Shtime dhe Graçanicë – kryesisht si pasojë e bllokimeve të kanalizimeve. Në disa raste ka pasur depërtime uji në oborre, bodrume dhe shtëpi banimi, pa evakuime.
Rajoni i Prizrenit: disa rrugë dhe ura të vërshuara, shembje dheu dhe intervenime teknike (Suharekë, Malishevë, Rahovec, Dragash). Rrugët kryesore janë nën monitorim, disa segmente të pakalueshme përkohësisht.
Rajoni i Mitrovicës: situata e qetë, pa rrezik të drejtpërdrejtë. Angazhime aktive për largim uji, me fokus në QKMF Mitrovicë. Vizitë në terren nga udhëheqja e AME-së dhe autoritetet komunale.
Rajoni i Pejës: disa intervenime për bllokim kanalizimesh dhe rrezik vërshimi; rruga Pejë–Rugovë me ujë në disa segmente (kujdes në qarkullim).
Rajoni i Gjakovës: situatë stabile, niveli i lumenjve në rënie; një bllokim rruge nga shembja e dheut.
Rajoni i Gjilanit: vërshime të lokalizuara, depërtime uji në bodrume dhe rrëshqitje dheu; ngritje e nivelit të lumenjve pa dalje nga shtrati.
Ndërhyrje dhe kërkesa
Kërkesa urgjente nga KEK dhe KOSTT për pompa thithëse me kapacitet të madh – të realizuara.
Në përcjellje dhe koordinim të kërkesave 24/7 për ndihmë nga gjitha institucionet lokale dhe infratruktures kritike në gjithe territorin.

















