Ambasadorja gjermane në Beograd: Për keqardhje që Lista Serbe bojkotoi zgjedhjet

E publikuar: 30/04/2023 09:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasadorja gjermane në Serbi, Anke Konrad, ka përcjellë qëndrimin e vendit të saj se është për keqardhje që Lista Serbe bojkotoi zgjedhjet e fundit në veri të Kosovës.

“Serbët e Kosovës, të cilët u larguan nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022, duhet të kthehen në to sa më shpejt të jetë e mundur. Ky, meqë ra fjala, është edhe një nga obligimet nga Marrëveshja e Brukselit, si dhe obligimi për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Dhe po, Asociacioni tani duhet të zbatohet shpejt, ne jemi të vendosur për këtë”, tha diplomatja gjermane për Kuririn serb, transmeton Klankosova.tv.

Ajo shtoi se Asociacioni është “obligim kyç i Kosovës në këtë dialog” dhe se duhet të krijohen parakushte për të pa vonesë, por edhe që Serbia të zbatojë të gjitha obligimet e saj.

Ambasadorja gjermane atje mes tjerash tha se marrëveshja evropiane për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e ashtuquajtura marrëveshja franko-gjermane, është pranuar nga të dyja palët dhe se tani e kanë obligim ta zbatojnë atë pa asnjë diskutim dhe pa kushte të reja, përcjell Danas, transmeton Klankosova.tv.

“Të dyja palët do të kenë përfitime konkrete nga zbatimi i marrëveshjes, sepse tensionet aktuale janë helm për të ardhmen e njerëzve, për investimet ekonomike dhe vendet e punës dhe pa normalizimin e marrëdhënieve nuk do të ketë anëtarësim në BE”, shtoi ajo.