Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, në një intervistë për TV21 u ka bërë thirrje institucioneve të vendit që ta formojnë sa më parë Gjykatën Speciale.
Ajo ka thënë se institucionet e Kosovës nuk duhet ta zvarrisin këtë proces pasi marrëveshja mes palës kosovare dhe asaj ndërkombëtare është bërë para një viti dhe koha e fundit për krijimin e Gjykatës Speciale ka ardhur.
Viets, ka shtuar se mosformimi i Speciales do të ndikojë në proceset më të rëndësishme për Kosovën, atë të liberalizimit të vizave dhe nënshkrimin e marrëveshjes për Stabilizimasocim.
Sipas ambasadores Viets, nëse institucionet e Kosovës nuk e formojnë Gjykatën Speciale, ajo do të formohet nga OKB-ja, dhe kjo gjë, sipas saj, do të ishte e dëmshme për Kosovën.
Ajo vlerëson se në proceset që do të trajtohen në këtë gjykatë do të kenë qasje pastaj edhe vendet e të gjithë botës duke përfshirë edhe vendet fqinje të Kosovës që mund të ndikojnë në çështjet e ngritura.