Dështimi i miratimit të Speciales në Kuvendin e Kosovës, lejon që interesat e disa individëve që do të mund të akuzoheshin, të vihen para interesave të vendit
Kundërshtarët e Gjykatës Speciale kanë arsye të ndryshme, disa dyshojnë për vete, të tjerët kanë miq që ua merr mendja se mund të akuzohen, ka edhe prej atyre nga opozitë të cilët, jo se kanë diçka kundër Speciales, por e bëjnë për të fituar poenë politikë kundër qeverisjes aktuale.
Kështu ka thënë në intervistë për gazetën “Zëri”, ambasadorja e SHBA-ve, Tracey Ann Jacobson disa ditë përpara se të përfundojë mandatin dhe të largohet nga Kosova.
Sipas saj, dështimi i miratimit të Speciales dhe lënia e mundësisë që kjo cështje të shkojë në OKB ku do të politizohej, e do të përdoret nga vendet që nuk e njohin Kosovën, për ta denigruar atë, bën që interesat e disa individëve që do të mund të akuzoheshin, të vihen para interesave të vendit”.
Kjo me të vërtetë është për të ardhur keq”, ka thënë Jacobson.
Ajo në intervistë ka folur edhe për politikën e korruptuar, milionerë që zyrtarisht kanë vetëm pagë, gjyqtarët e kërcënuar, radikalizmin fetar etj.
Ajo ka folur edhe për vitet e kaluara në Kosovë dhe punën që është bërë gjatë kësaj periudhe.
Ka thënë se është krenare me rolin që Ambasada ka luajtur gjatë tri viteve të fundit. “Personalisht, jam krenare me rolin që Ambasada e ka luajtur në disa prej këtyre të arriturave. Kur mendoj për çastin më krenar, më vjen në mendje ditëlindja ime e 49-të vitin e kaluar, më 8 qershor, kur Kosova ka dalë në votim në jug dhe në veri dhe ka zgjedhur udhëheqësin e re, në ato që nga njerëzit që kanë dijeni për këto gjëra, si OSBE-ja dhe vëzhguesit, u cilësuan si zgjedhje të lira dhe të drejta për herë të parë në nivel nacional. Pra, ishte hera e parë që në zgjedhje merrnin pjesë qytetarët nga pjesa veriore e vendit”.
Problem kryesor i Kosovës, korrupsioni
Ambasadorja amerikane ka folur edhe për korrupsionin si një nga problemet kryesore në Kosovë. Ajo ka thënë se gjithmonë është një periudhë tranzicioni që vende postkomuniste e kalojnë deri sa ta çrrënjosin korrupsionin, që mëton të jetë problem i vërtetë në sistemin komunist. Korrupsioni është problem kudo nëpër botë, por ndryshimi, përderisa njëkohësisht edhe duke shkuar drejt ekonomisë së tregut të lirë është detyrë shumë sfiduese.