Ambasadori i Republikës së Kosovës në Kanada, Lulzim Hiseni, i ka dorëzuar letrat kredenciale Guvernatorit të Përgjithshëm të Kanadasë, David Johnston, në Quebec City, ku është edhe rezidenca e dytë zyrtare e kreut të shtetit.
Në takimin që ka pasur pas ceremonisë, ambasadori Hiseni dhe guvernatori Johnston, diskutuan për marrëdhëniet bilaterale të cilat u vlerësuan lart nga Johnston, i cili kujtoi takimin e tij të fundit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Derisa ka rikonfirmuar angazhimin e tij dhe të Kanadasë në mbështetjen e Kosovës, guvernatori Johnston vlerësoi qasjen pozitive të Republikës së Kosovës në politikën e jashtme, ku bën pjesë edhe hapja e Ambasadës së Kosovës në Ottavë, dhe caktimin e Hisenit, ambasador i parë rezident i Republikës së Kosovës në Kanada.
Ndërsa ka shtuar se “kontributi i saj kundrejt Kosovës është shumëdimensional, duke filluar nga ai politik, ekonomik, social e kulturor”. Me këtë rast ambasadori Hiseni theksoi se në vizionin e saj të politikës së jashtme, Republika e Kosovës e konsideron Kanadanë si vend partner, mik dhe mbështetëse të palëkundur në rrugën e saj drejt konsolidimit të plotë ndërkombëtar me theks në integrimet euro atlantike. Kanadaja është ndër njohësit e parë të Republikës së Kosovës dhe që atëherë marrëdhëniet bilateral janë thelluar.