Hill-Vucic-Kurti
Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka thënë sot se përshtypja e tij pas takimit të djeshëm në mes të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, AlbIn Kurti në kuadër të dialogut, ishte se ka pasur njëfarë progresi për Serbinë, përcjell Gazeta Express.
Hill tha se këto ishin “negociatat vërtet të vështira”, por se Beogradi i bëri detyrat e shtëpisë dhe u përgatit mirë.
Christopher Hill tha për Tanjug se shpreson se procesi mund të vazhdojë dhe se me pjesëmarrjen në të, Serbia mund të vazhdojë të punojë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Dhe nuk duhet të ketë asnjë vend tjetër midis Serbisë dhe BE-së. Serbia duhet të punojë me BE-në. Dhe përshtypja ime, sigurisht, përshtypja ime paraprake për atë që ndodhi në Bruksel është se ka pasur një përparim për Serbinë,” tha ai.
Ai theksoi se Bashkimi Evropian ka një përgjegjësi të madhe.
“Ata bënë shumë përpjekje dhe mendoj se SHBA-të shprehën një qëndrim mjaft parimor se ne do ta mbështesim zotin Borrell. Nëse ai është i kënaqur ne do të jemi; nëse ai nuk është i kënaqur, ne do të jemi shumë të pakënaqur”, tha ambasadori amerikan.
Ai thekson se njerëzit duhet të kuptojnë se në kuadër të dialogut të Brukselit janë në fakt dy grupe negociatash – negociatat ndërmjet palës së Beogradit dhe BE-së dhe palës prishtinase dhe BE-së.
“Unë nuk kam marrë pjesë në negociata, nuk ka pasur as amerikanë atje. Por sigurisht në bazë të asaj që kam lexuar, zoti Borrell tha se pala serbe ishte e përgatitur mirë dhe në thelb u pajtua me atë që propozoi Bashkimi Evropian,” tha Hill.
Ai shtoi se, me sa e kuptonte ai, Bashkimi Evropian u përpoq të propozonte një lloj formule kompromisi.
“Me sa kuptoj unë në bazë të asaj që tha zoti Borrell, ata po mundohen të krijojnë një plan për rrjedhën e ngjarjeve. Çështja e Bashkimit të Komunave Serbe, çështja e një hapësire më të madhe të Kosovës për ndërkombëtarizim – ata po përpiqemi të punojmë për të vendosur rendin e këtyre elementeve. Pra, do të duhet të shohim se si funksionon e gjithë kjo. Siç thashë, janë vërtet negociata të vështira, por mendoj se Serbia i ka bërë detyrat e shtëpisë dhe është përgatitur mirë”, përfundoi Hill./Express