Ambasadori gjerman: Politikanët t’ua mundësojnë të rinjve të udhëtojnë pa viza

E publikuar: 02/10/2017 15:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasadori i ri gjerman në Kosovë, Christian Heldt me rastin e pritjes për shënimin e përvjetorit të 27 të Ditës së Bashkimit të Gjermanisë, sot ka thënë se politikanët në Kosovë duhet t’ua mundësojnë të rinjëve udhëtimin pa viza në shtetet e Bashkimit Europian.

Në këtë event të mbajtur në Vila Gërmia në Prishtinë, ambasadori gjerman Christian Heldt tha se shpreson se politikanët në Kosovë së shpejti do t’i përmbushin obligimet nga udhërrëfyesi i vizave, ashtu që sidomos rinia sa më shpejtë të mund të udhëtojë më e lirë në Europë, përcjell Gazeta Express.

“Megjithatë ka ende sfida të mëdha me të cilat duhet ballafaquar. Siç e ka përmendur Kancelarja Federale Merkel në telegramin e saj të urimit drejtuar Kryeministrit Haradinaj për zgjedhjen e tij, Gjermania mbetet përkrah Kosovës”, tha ambasadori gjerman.

Ai shtoi se Gjermani dëshiron që t’i ndihmojë Kosovën në ndërtimin e konsolidimit e sundimit të ligjit, “t’ju shoqërojë në luftimin e korrupsionit, të nxisim zhvillim ekonomik, si dhe t’ju mbështesim në një dialog të balancuar me Serbinë”.

Duke qenë se ambasadori mori këtë detyrë që gati dy javë, ai shprehu mirënjohjen për mikpritjen që iu është bërë këto dy javë në vend.

“Bashkë me bashkëshorten time, unë po pres me padurim ta njoh më mirë Kosovën dhe qytetarët e saj gjatë viteve të vazhdim”, tha ambasadori i ri gjerman në Kosovë, Christian Heldt. /GazetaExpress/