Ambasadori francez: Franca e mbështet formimin e Asociacionit, duhet diskutuar modalitetet

E publikuar: 02/11/2022 15:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasadori i Francës në Beograd, Pierre Cochard, ka thënë se presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, kanë propozuar ritëm më të shpejt në dialog dhe tema më të rëndësishme sesa targat.

I pyetur nëse propozimi franko-gjerman përmend një afat për arritjen e marrëveshjes, Cochard tha se nuk ka datë.

“Ne sigurisht shpresojmë që gjërat të përparojnë shpejt, dialogu të përparojë shpejt sepse është në interes të të gjithëve, përfshirë edhe popullatës serbe në Kosovë, por nuk ka afat”, tha Cochard, shkruan Tanjug.

Tutje, Cochard tha se përparimi në dialogun mes Kosovës e Serbisë është një element i qasjes së Serbisë ndaj Bashkimit Evropian, teksa shtoi se gjithashtu duhet që edhe reformat në lidhje me funksionimin e shtetit ligjor dhe lirinë e medias të përshpejtohen.

“Kjo nuk është qasja jonë, ne avokojmë për anëtarësimin e shpejtë të Serbisë në BE, gjë që presidenti Macron e ka thënë shumë herë, por kjo gjithashtu nënkupton që reformat duhet të përshpejtohen në lidhje me funksionimin e shtetit ligjor dhe lirinë e medias. Dhe ne po llogarisim në autoritetet serbe që ta bëjnë këtë. Pra, nuk bëhet fjalë për ndonjë lloj kompensimi apo “kompensim”, është për një qëllim të përbashkët të vendeve të BE-së, shpresojmë edhe Serbisë”, ai Cochard, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, ai foli edhe për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ku tha se vendimi për formimin e tij tashmë është i përfshirë në marrëveshjet e Brukselit dhe se i takon Kosovës e Serbisë të diskutojnë modalitetet.

Ai shton se një nga qëllimet e propozimit franko-gjerman është që të përkrahet ndërmjetësimi i Miroslav Lajçakut dhe se qëllimi është pikërisht diskutimi i përmbajtjes së Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Franca pa mëdyshje dhe pa asnjë hezitim qëndron për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Është një element i rëndësishëm i marrëveshjes së Brukselit, komuniteti është diçka që i ofron popullatës serbe garanci për vetëqeverisje, është një nga prerogativat kur bëhet fjalë për shembull, arsimi, kështu që është një hap i rëndësishëm drejt normalizimit”, tha Cochard.