Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti i është gëzuar letrës që përfaqësuesit parlamentarë të politikës së jashtme të disa vendeve europiane, përfshirë shtetet e fuqishme perëndimore si SHBA-ja, Gjermania e Mbretëria e Bashkuar ia dërguan bartësve të diplomacisë perëndimore duke iu kërkuar atyre qasje më ekuilibruese dhe proporcionalite në raport me Kosovën dhe Serbinë.
Ambasadori Ajeti shkroi në Facebook se kjo letër vjen “në një momentum të rëndësishëm”.
“Një letër e përbashkët e hartuar në një momentum të rëndësishëm nga kryetarët e komisioneve për politikë të jashtme të Bundestagut gjerman Michael Roth, të Senatit të SHBA-ve Bob Menendez, të Parlamentit britanik Alicia Kearns dhe kryetarët e komisioneve të punëve të jashtme të parlamenteve të Republikës Çeke, Ukrainës, Irlandës, Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë”, shkroi ai.
“Kosova është shtet sovran dhe demokraci funksionale”, thuhet në një letër të përbashkët të kryetarëve të komiteteve të politikës së jashtme të SHBA-së, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, e ku ka marrë pjesë edhe Ukraina, përmes kreut të Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin Ukrainas, Oleksandr Merezhko.
“Tendencat e Serbisë për t’i penguar zgjedhjet demokratike në Kosovë duhet që publikisht të kritikohet si interferim i huaj dhe duhet të ndërmerren masa konkrete për ta mbajtur Serbinë përgjegjëse, nëse vazhdon t’i rrezikojë zgjedhjet e lira dhe demokratike”, thuhet në letër.