Ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu ka ashpërsuar edhe më tej gjuhën mbi marrëdhëniet e politikës shqiptare me krimin. Ai e krahasoi situatën aktuale në Shqipëri me Amerikën e kohës së Al Kapones, duke iu referuar rastit të Emiliano Shullazit.
Ai deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë një asistencë të fortë për Byronë e Hetimit, duke thënë se ky është një paralajmërim i fortë për kriminelët që duan t’i afrohen politikës.
“Në Shqipëri ka kriminelë të fuqishëm që kanë lidhje politike, ndonëse kanë kryer krime. Një nga këto raste është ai i trafikantit Emiljano Shullazi, i arrestuar kohët e fundit, i cili prej shumë vitesh është akuzuar për vrasje dhe trafik droge” tha mes tjerash diplomati amerikan. Ai më tej shtoi se në Shqipëri duhet të punohet shumë për të luftuar korrupsionit pasi situata është kaotike. Sipas tij, qytetarët janë të gatshëm që këta persona të korruptuar t’i largojnë nga politika dhe qeverisja. “Në SHBA e kemi hasur të njëjtin problem në kohën e Al Kapones”, tha Lu.