Britania do të ndërmarrë sanksione të reja në javët e ardhshme pas shpalljes “Non Grata” të ish-Kryeministrit Sali Berisha. Ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King-Smith, në një intervistë për emisionin “Real Story” në ‘Report TV’, e paralajmëroi këtë aksion diplomatik.
“Kur bëhet fjalë për sanksione dhe veprime që duhen marrë për ata që ne gjykojmë se janë përfshirë në veprimtari kriminale dhe korrupsion, sërish ne ndjekim një qasje të balancuar. Kjo nuk shënjestron asnjë individ, sikurse e përcaktoi qartë Lord Peach, kur njoftoi atëherë valën e parë të sanksioneve, në korrik të vitit të shkuar, ata ishin kundër një sërë individësh. Sikurse e dini, kur bëhet fjalë për kufizime të hyrjes ne MB, si në këtë rast, ne nuk i deklarojmë emrat, pra jo gjithkush e ka bërë publike përfshirjen e tyre në këtë valë sanksionesh. Por, sikurse edhe e thashë më parë, do të ketë valë të tjera sanksionesh kundër atyre të përfshirë në veprimtari kriminale dhe korrupsion”, tha Alastair King-Smith.