Ambasadorët e QUINT-it dhe BE-së i shkojnë Kurtit e Bislimit në takim

E publikuar: 30/11/2023 20:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri Albin Kurti dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, pritën sot në takim përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it dhe Bashkimit Evropian, me të cilët diskutuan mbi temat aktuale dhe kërkesën e Serbisë drejtuar OSBE-së, për mbajtjen e zgjedhjeve edhe në Kosovë më 17 dhjetor.

Kurti theksoi se për këtë çështje ai ka informuar tashmë OSBE-në se për organizim të votimeve jashtë Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Prishtinë, është e nevojshme një marrëveshje ndër-shtetërore dhe se kërkesa për një marrëveshje të tillë duhet të vijë nga Serbia si palë e interesuar.

Ai shprehu keqardhjen e tij për mungesën e gatishmërisë se Serbisë për një marrëveshje të tillë, që do t’iu mundësonte shtetasve të Kosovës që kanë edhe shtetësinë e Serbisë të marrin pjesë në zgjedhje sipas praktikave më të mira evropiane ndërshtetërore për votim nga jashtë vendit.

Ndryshe, Serbia ditë më parë i kërkuan misionit të OSBE-së në Kosovë, por jo edhe Prishtinës zyrtare, që të përfshihet në mbledhjen e votave të serbëve të Kosovës me shtetësi të dyfishtë për zgjedhjet parlamentare në Serbi.

Në të kaluarën zgjedhjet serbe janë mbajtur edhe në Kosovë, ku përfshihej misioni i OSBE-së në grumbullimin e votave, e që më pas janë dërguar për numërim në Serbi.

Kjo praktikë është lejuar nga autoritetet e Kosovës deri në vitin e kaluar. Misioni i OSBE-së ka bërë të ditur se megjithatë, mbetet i gatshëm të mbështesë mbledhjen e votave, ashtu sikurse ka vepruar në rastet e mëparshme.