Kosova nuk ka shef të diplomacisë në Ambasadën e Hungarisë që nga 17 marsi i këtij viti.
Kjo është data kur edhe zyrtarisht ambasadori i Kosovës në Budapest, Sami Ukelli, ka kaluar me mision në Ambasadën e Kosovës Vjenë.
Ministria e Punëve të Jashtme ende nuk ka përopozuar emër të ri për përfaqësim të shërbimit diplomatik në Budapest, dhe deri në emërimin e ambasadorit të ri, misionin diplomatik në këtë vend do ta udhëheqë Visar Fetaj.
TribunaChannel ka provuar të kontaktojë me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, për të ditur më tepër rreth shërbimit diplomatik në Budapest, por nuk i është përgjigjur pozitivisht kërkesës.
“Nuk kam kohë,” është përgjigja e vetme e zëvendësministrit Selimi, për këtë çështje.
Ditë më parë, Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës i është dorzuar një shkresë e Ministrisë së Punëve të Jashtme përmes së cilës Qeverisa e Kosovës ka dhënë pëlqimin për të intervistuar dy kandidatë për ambasadorë në Uashington dhe Tokio, por jo edhe në Budapest.
Shef i misionit diplomatik të Kosovës në Uashington aktualisht është Akan Ismajli, ndërsa Ambasada e Kosovës në Tokio është pa ambasadorë që nga janari i këtij viti.
Komisioni vendosi që të premten të intervistojë Vlora Çitakun si e propozuar nga Ministria e Punëve të Jashtme për shefe të misionit diplomatik në Uashington, dhe të martën e javës tjetër të intervistojë Leon Malazogun për Ambasadorë të Kosovës në Tokio.
/Gazeta Tribuna/