Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka lëshuar një njoftim për vizitën e Kancelares Merkel në Tiranë, aty ku ajo u takua edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Por, kjo ambasadë ndonëse takimin me Kurtin e ka përmendur kalimthi në komunikatë, nuk ka publikuar asnjë fotografi nga i njëjti.
Kjo ka ndodhur ani pse ambasada ka publikuar fotografitë nga takimet me liderët e tjerë, përfshirë Edi Ramën, Zoran Zaevin si dhe Aleksander Vuçiqin të cilin e takoi gjatë vizitës që pati në Serbi.
E nuk dihet se nëse ky lëshim i ambasadës është i qëllimshëm apo gabim në raportim, por që i njëjti ka shkaktuar reagimin e komentuesve të cilët kanë pyetur se pse është anashkaluar takimi me kryeministrin kosovar.
“Pas ditës së parë ku u takua me Presidentin Vuçiq në Serbi dhe përfaqësues të shoqërisë civile të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Kancelarja fluturoi për në Tiranë ku takoi krerët e qeverive të Shqipërisë, Kosovës, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Në konferencën për shtyp me kryeministrin shqiptar Edi Rama, kancelarja Merkel tha: “Prosperitet, vende pune, stabilitet dhe paqe për vendet e Ballkanit Perëndimor – kjo është ajo për të cilën ia vlen të punosh”, thuhet në komunikatën e Ambasadës.



















