Pas Shteteve të Bashkuara edhe një shtet tjetër i QUINT-it ka kërkuar nga partitë politike të mos i përfshijnë në lista ata që kanë probleme me ligjin, shkruan sot Koha Ditore.
Zëdhënësi i Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë, Marten Menger, ka thënë se subjektet politike duhet të ketë kujdes me emrat të cilët do t’i fusin në listat zgjedhore për deputetë.
Ndryshe, në listat zgjedhore të subjekteve politike do të garojnë së paku 25 kandidatë për deputetë, të cilët kanë aktakuza të ngritura nga Prokuroria ose janë nën hetime për vepra të ndryshme penale.
Iniciativën e presidentit Hashim Thaçi për dekriminalizimin e skenës politike në vend si duket nuk do ta përkrahin partitë politike në zgjedhjet e 11 qershorit të këtij viti.
Kjo po ndodh pasi Kosova ende nuk ka ligj, i cili ua ndalon këtyre personave të kandidojnë për deputetë. Në listat zgjedhore të partive politike pritet të futen edhe persona të cilët aktualisht ndiqen nga drejtësia.
Presidenti Thaçi pati deklaruar se do ta mbështesë çfarëdo nisme që në listat zgjedhore të mos ketë njerëz të akuzuar. Një iniciativë të tillë e kanë mbështetur diplomatët e huaj. Ambasadori amerikan Greg Delawie vazhdon akoma të bëjë thirrje që në listat zgjedhore të mos përfshihen njerëz të ndjekur nga drejtësia.

















