Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është shprehur thellësisht e zhgënjyer me veprimet e autoriteteve të Kosovës, për mbylljen e nëntë degëve të Postës së Serbisë në veri të vendit.
Sipas ambasadës amerikane, këto veprime janë të njëanshme dhe të pakoordinuara, e të cilat sipas tyre, i vënë qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në rrezik të madh.
“Veprimet e pakoordinuara të Kosovës i vënë qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në rrezik më të madh, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar.”
Më tej, ambasada e ShBA-së i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës, që të ndërpresë çdo veprim të mëtejshëm “të njëanshëm” dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialog, për të zgjidhur, sipas tyre, çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve.