Ambasada amerikane në Tiranë njoftoi sot qytetarët amerikanë në Tiranë të shmangin vendndodhjen e protestës së paralajmëruar të Partisë Demokratike në datën 22 mars.
Ambasada, në një njoftim në faqen e saj zyrtare, informon qytetarët se një demonstratë është planifikuar të zhvillohet të dielën në 22 mars 2026, në orën 18:00.
Sipas njoftimit, protestuesit planifikojnë të mblidhen në ndërtesën e Kryeministrit, e vendosur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, midis sheshit “Nënë Tereza” dhe sheshit “Skënderbej”.
Në njoftim, bëhet me dije se personeli i Ambasadës së ShBA-së është këshilluar të shmangë demonstratën.
“Monitoroni mediet lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve të zbatimit të ligjit për informacionin më të fundit. Edhe pse protestat dhe tubimet e mëdha shpesh fillojnë në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë shpejt. Protesta mund të zgjerohet në rrugët dhe ndërtesat qeveritare përreth, duke shkaktuar ndërprerje të trafikut, devijime dhe bllokime rrugësh”, vijon njoftimi.
Ambasada e ShBA-së, këshillon qytetarët amerikanë që të shmangin zonat e protestës, shkruan ATSh.
Në njoftimin drejtuar qytetarëve amerikanë në Tiranë, ambasada e ShBA-së këshillon që nëse ndodhen në qytet, të qëndrojnë vigjilentë dhe të kenë prioritet sigurinë personale. “Forconi masat tuaja të sigurisë duke marrë parasysh rrethinën tuaj, kufizoni shpërqendrimet si telefonat ose kufjet në publik; monitoroni mediet lokale, gjithmonë keni një plan emergjence ose strategji daljeje dhe mbani një profil të ulët”, thuhet në njoftim.




















