Zyrtari për Marrëdhënie me Publikun i Ambasadës amerikane në Prishtinë, Ray Nayler, gjatë një takimi sot me drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), ka premtuar vazhdimin e përkrahjes së plotë për transparencën dhe pavarësinë institucionale të AKA-së.
Ai me këtë rast tha se Ambasada Amerikane përkrah plotësisht transparencën dhe pavarësinë institucionale të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.
“Puna e këtij institucioni është vitale për arsimin e lartë në Kosovë, ndërsa çdo ndërhyrje politike në punën e AKA-së është e papranueshme”, ka thënë Nayler, bëhet e ditur përmes një njoftimi për media.
Ndërsa, drejtori i AKA-s, Naim Gashi, tha se me vendim të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC), tani ka filluar procesi i akreditimit të programeve studimore.
Ai ka thënë se mirëpresin financimin e fundit të projektit të Ambasadës së SHBA-së, e cila adreson nevojat imediate të Agjencisë së Akreditimit për kthimin e anëtarësisë në Asociacionin Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), por njëkohësisht edhe për forcimin e kapaciteteve institucionale.
“Edhe pse në kohë pandemie, kur gjithë bota pothuajse ishte e izoluar, për t’ju dalë në ndihmë institucioneve të arsimit të lartë, komunitetit akademik dhe studentëve, me angazhimin e ekspertëve eminentë ndërkombëtarë, ne kemi realizuar me shumë sukses vlerësimin në distancë. Deri më tani kemi përfunduar vlerësimin e 14 institucioneve të arsimit të lartë, ndërsa rezultatet jemi duke i pritur nga ekspertët ndërkombëtarë, të cilat pritet të jenë pjesë e vendimmarrje në Këshillin Shtetëror të Cilësisë më 25 dhe 26 qershor”, ka thënë Gashi.
Drejtori i AKA-së po ashtu ka thënë se me kapacitetet që posedon Kosova dhe me përkrahjen e Ambasadës amerikane dhe miqve ndërkombëtarë, do të nxitet rritja e cilësisë në arsim dhe ndërlidhja e sistemit arsimor me nevojat e vendit.