Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shprehur të shqetësuara lidhur me deklaratat e bëra nga opozita për kundërshtimin e propozimit evropian.
Kështu ka bërë të ditur për Reporteri.net një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë, referuar kundërshtimeve që i kanë shfaqur së fundi partitë opozitare LDK e PDK ndaj propozimit të BE’së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë që gojarisht u pranua më 27 shkurt në Bruksel nga Kryeministri kosovar Albin Kurti dhe Presidenti serb Aleksandër Vuciq.
“Jemi të shqetësuar me deklaratat e bëra nga drejtues dhe zyrtarë të partive opozitare që shprehin kundërshtimin e tyre ndaj propozimit të BE-së. Këto pikëpamje nuk përputhen me mbështetjen e ShBA-së për propozimin”, thotë zëdhënësi i Ambasadës amerikane.
Në deklaratën e lëshuar për Reporteri.net theksohet se ShBA e ka bërë të qartë se mbështet Dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, dhe propozimin evropian për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë në mënyrë të përsëritur se ne mbështesim Dialogun e lehtësuar nga BE. Në veçanti, ne e mbështesim plotësisht propozimin e BE-së për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Përpjekjet tona të përbashkëta për ta çuar përpara këtë propozim kanë përfshirë konsultimet me partitë opozitare të Kosovës”, thotë deklarata.
Ky zëdhënës i Ambasadës Amerikane në Prishtinë thekson se edhe Biden e Blinken e nënvizuan mbështetjen e fortë për propozimin e BE-së, për të çuar përpara Kosovën drejt stabilitetit rajonal e integrimit evropian e euroatlantik.
“Në nivelet më të larta të qeverisë, ShBA e kanë bërë të qartë këtë mbështetje. Presidenti Biden dhe Sekretari i Shtetit Blinken, në komunikimet e tyre të fundit për Ditën e Pavarësisë së Kosovës, nënvizuan se propozimi ka mbështetjen tonë të fortë dhe do ta çojë shumë Kosovën drejt stabilitetit më të madh rajonal, prosperitetit ekonomik dhe integrimit evropian dhe euroatlantik”, përfundon deklarata.
Kujtojmë se më 27 shkurt, Kurti dhe Vuçiq janë pajtuar në Bruksel që të mos ketë diskutime shtesë në lidhje me propozimin e BE-së.