Ambasada amerikane në Kosovë ka mirëpritur marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Bashkimit Europian lidhur me zbatimin e Ligjit për të huajt.
Në një përgjigje për Gazetën Express një zëdhënës i ambasadës tha se ndryshimet që prekin komunitetin serb duhet të bëhen duke i konsultuar dhe duke marrë miratimin e tyre.
“Shtetet e Bashkuara e mirëpresin njoftimin për marrëveshjen e arritur lidhur me zbatimin e Ligjit për të Huajt. Ne përgëzojmë angazhimin e palëve për këtë çështje, me qëllim arritjen e një zgjidhjeje të pranueshme për të gjithë. Çdo ndryshim që prek komunitetin serb të Kosovës duhet të bëhet në konsultim të ngushtë dhe me miratimin e komunitetit serb të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e ambasadës.
Qeveria e Kosovës ka negociuar një marrëveshje me Bashkimin Europian për mënyrën e zbatimit të ligjit për të huajt dhe automjetet, nga të cilët do të prekej komuniteti serb në Kosovë.
Qeveria u pajtua që të ofrojë leje të përkohshme qëndrimi dhe të njohë letërnjoftimet të lëshuara nga Serbia për një periudhë 12-mujore.
Këtë marrëveshje e kanë mirëpritur edhe ambasadat e tjera të huaja në vend.
Zbatimi i plotë i ligjeve nisi të dielën derisa i parapriu një periudhe nga janari për një fushatë vetëdijesuese.
Për të njoftuar këtë marrëveshje të shtunën në Kosovë erdhi emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Për të, ambasadori i BE-së në vend, Aivo Orav, tha se përveç bisedimeve me Kosovën, Sorensen “ka qenë në kontakt të afërt me Qeverinë e Serbisë për të gjetur një zgjidhje sa më të realizueshme”.
Këto dy ligje kërkojnë që të gjithë ata që nuk kanë dokumente të Kosovës të pajisen me leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë në Kosovë më gjatë se tre muaj ose vetëm në bazë të autorizimit.
Me marrëveshjen e fundit, komuniteti serb nuk do t’i nënshtrohet këtyre rregullave pasi ata mund të marrin leje të përkohshme qëndrimi prej 12-muajsh, si dhe të bartin si mjet identifikimi letërnjoftimet e lëshuara nga autoritetet serbe.
Pas koncensioneve të bëra, kryeministri Albin Kurti ka thënë se Qeveria e Kosovës do t’u japë leje të përkohshme qëndrimi dhe t’ua njohë letërnjoftimet serbëve që nuk kanë dokumente të Kosovës për t’u regjistruar me to në sistem të Kosovës dhe t’i sigurojë leje qëndrimi për punëtorët dhe studentët e interesuar për një periudhë fillestare prej 12 muajsh me qëllim parandalimin e çdo ndërprerjeje të shërbimeve shëndetësore dhe arsimore./Express

















